Një histori e errët dhe tronditëse po del në dritë nga Hollywood-i. Nick Reiner, djali i regjisorit të njohur Rob Reiner, është nën arrest, pasi dyshohet se është autori i vrasjes së babait dhe nënës së tij, Michele, e cila u gjet pa shenja jete.
Sipas raportimeve të TMZ, ngjarja merr përmasa edhe më shqetësuese nga detajet e zbardhura për orët pas krimit të dyshuar. Nick Reiner raportohet se ka shkuar në një hotel në Santa Monica në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku dyshohet se ka lënë gjurmë gjaku pas vetes.
Ai mbërriti në hotelin The Pierside Santa Monica rreth orës 4:00 të mëngjesit, duke përdorur kartën e tij të kreditit për rezervimin e dhomës. Rezervimi ishte bërë vetëm për një natë, por Nick nuk e kreu kurrë procedurën e daljes (check-out).
Dëshmitarë okularë kanë deklaruar për TMZ se Nick dukej “i çoroditur”, por nuk kishte shenja të dukshme se kishte qenë i përfshirë në një konflikt të dhunshëm: nuk kishte njolla gjaku mbi rroba dhe as plagë të dukshme në trup.
Situata mori një kthesë tronditëse kur stafi i hotelit hyri në dhomën e tij të dielën. Sipas burimeve, ata gjetën dushin “plot me gjak”, si dhe njolla gjaku në shtrat. Një tjetër detaj shqetësues ishte se dritarja e dhomës ishte mbuluar me çarçafë, duke ngritur dyshime për përpjekje për të fshehur atë që kishte ndodhur brenda.
Detektivët mbërritën në hotel të hënën për të mbledhur prova, analizuar skenën dhe intervistuar punonjësit. Pas kësaj, Nick Reiner u gjurmua dhe u arrestua pranë qendrës së Los Anxhelesit.
Ngjarja dyshohet se ka qenë e paraprirë nga tensione familjare.
Sipas burimeve të TMZ, vetëm pak orë para se Nick të shkonte në hotel, ai kishte pasur një debat të ashpër me të atin, Rob Reiner, gjatë festës luksoze të Krishtlindjes të organizuar nga Conan O’Brien.
Të pranishmit në festë kanë pohuar se Nick po sillej në mënyrë të pazakontë: nuk ndërvepronte me të ftuarit, dukej i izoluar dhe veshja e tij ishte e çrregullt. Ndërsa eventi ishte elegant dhe formal, ai kishte zgjedhur të vishte një bluzë sportive, dhe dëshmitarët pretendojnë se dukej sikur kishte konsumuar diçka, edhe pse nuk specifikohet çfarë.
Burime pranë familjes bëjnë me dije se prindërit e Nick Reiner kishin vite që përpiqeshin ta ndihmonin djalin e tyre të luftonte varësinë, por përpjekjet e tyre nuk kishin dhënë rezultat.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin motivet dhe rrethanat e plota të kësaj tragjedie që ka tronditur jo vetëm familjen Reiner, por edhe opinionin publik amerikan.
Lini një Përgjigje