TAGS-AT E JAVËS

Showbiz 2 Qershor 2026, 11:59

Clint Eastwood tërhiqet nga kinemaja

Shkruar nga Pamfleti

Clint Eastwood tërhiqet nga kinemaja

Kyle Eastwood konfirmon se regjisori dhe aktori legjendar ka lënë aktivitetin e tij në film, duke mbyllur një karrierë që zgjati më shumë se gjashtë dekada...

Sipas deklaratave të Kyle Eastwood për një media franceze, Clint Eastwood është tërhequr përfundimisht nga aktiviteti në kinematografi, duke i dhënë fund një prej karrierave më të rëndësishme në historinë e Hollivudit.

Vetëm pak ditë pas ditëlindjes së 96-të të ikonës së kinemasë, djali i tij foli për bashkëpunimin e tyre shumëvjeçar dhe la të kuptohet se Eastwood nuk është më aktiv në industrinë e filmit.

“Kam shumë kujtime të bukura nga puna me të. Tani ai është në pension, është 95 vjeç. Kam qenë shumë me fat që bashkëpunova me të në disa filma”, deklaroi Kyle Eastwood gjatë intervistës.

Edhe pse Clint Eastwood dhe studioja me të cilën ka bashkëpunuar nuk kanë bërë ende një njoftim zyrtar, komentet e të birit konsiderohen si treguesi më i qartë deri tani se regjisori dhe aktori legjendar ka mbyllur rrugëtimin e tij artistik.

Eastwood u bë figurë botërore falë trilogjisë së famshme të westernëve të Sergio Leone-s dhe më pas u identifikua me personazhin e inspektorit Harry Callahan në serinë e filmave “Dirty Harry”.

Përveç suksesit si aktor, ai ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme si regjisor, duke realizuar filma të vlerësuar si Unforgiven, Mystic River, Million Dollar Baby, Gran Torino dhe American Sniper. Filmat Unforgiven dhe Million Dollar Baby fituan çmimin Oscar për Filmin më të Mirë, ndërsa Eastwood mori dy Oscar për regjinë.

Filmi i tij më i fundit si regjisor është drama gjyqësore Juror #2, me protagonistë Nicholas Hoult, Toni Collette, Kiefer Sutherland dhe J.K. Simmons. Nëse nuk do të ketë një rikthim të papritur, ky film pritet të mbetet kapitulli i fundit i një karriere që la gjurmë të thella në kinemanë botërore.

eastwood kinemaja aktori

Lini një Përgjigje