Sara Gjordeni ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me mënyrën se si banorët e “Big Brother” trajtohen jashtë shtëpisë, duke ngritur shqetësime mbi etikën e komentimit publik dhe kufijtë e kritikës.
Në reagimin e saj, Sara thekson se, ndonëse situatat brenda formatit shpesh janë të ekzagjeruara ose argëtuese, mënyra se si ato shpërndahen dhe interpretohen jashtë kontekstit është, sipas saj, “disi jonjerëzore”. Ajo nënvizon se shumë momente izolohen nga rrjedha reale e ngjarjeve dhe shndërrohen në materiale tallëse.
Gjordeni shprehet se flet si ish-banore e këtij formati, por edhe si vajzë, duke theksuar se profile personale dhe faqe të ndryshme në rrjetet sociale publikojnë shpesh meme, video apo fragmente të shkëputura të banorëve, të shoqëruara me ironi dhe komente denigruese.
Sipas saj, humori dhe ironia janë të pranueshme deri në një pikë, por problemi nis kur “Big Brother” nuk trajtohet më si një eksperiment social, por si një hapësirë ku publiku ndjehet i lirë të gjykojë dhe të sulmojë pa kufij.
“Nëse futesh në Big Brother, duket sikur ke dhënë pëlqimin që të bëhesh qepaze, qen e mace”, shprehet Sara, duke shtuar se situata rëndohet edhe më shumë pas daljes së banorëve nga shtëpia, kur ata përballen me dhjetëra video dhe komente për veten, shpesh pa kontekst dhe pa sqarim të asaj që realisht ka ndodhur.
Në fund të reagimit të saj, Gjordeni kritikon edhe personazhe publikë që, sipas saj, ndërtojnë vëmendjen dhe identitetin e tyre duke tallur banorët e “Big Brother”, duke deformuar situatat përmes komenteve sarkastike.
Ajo thekson se deri tani nuk ka parë asnjë prej këtyre figurave të përfshihet vetë në format, për t’u përballur drejtpërdrejt me kamerat dhe presionin që përjetojnë banorët brenda shtëpisë.

Lini një Përgjigje