TAGS-AT E JAVËS

Kosova29 Prill 2026, 15:23

​Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, KQZ propozon datën 7 qershor

Shkruar nga Pamfleti

​Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, KQZ propozon datën 7

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se organizimi i zgjedhjeve kërkon kohë dhe përgatitje të konsiderueshme, duke e cilësuar procesin si jo të lehtë.

Pas një takimi me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, Radoniqi deklaroi se data më e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve është 7 qershori, ndonëse në shqyrtim mbeten edhe alternativa të tjera.

“Sa më vonë. Çështja e buxhetit ende nuk është diskutuar në KQZ, por besoj se do të jetë përafërsisht si në zgjedhjet e kaluara. Na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë… Dy data janë përmendur, 31 maji ose 7 qershori. Për mendimin tonë është 7 qershori, por vendimi i takon presidentes”, u shpreh ai.

Radoniqi theksoi se deri më tani nuk është hapur diskutimi për buxhetin e zgjedhjeve brenda KQZ-së, ndërsa theksoi se organizimi i procesit zgjedhor kërkon koordinim të plotë institucional.

Vendimi përfundimtar për datën e zgjedhjeve pritet të merret nga ushtruesja e detyrës së presidentes. 

Mbrëmjen e djeshme, deputetët e shumicës parlamentare tentuan të zgjidhnin një president të ri, por partitë opozitare bojkotuan punimet e seancës, pasi bisedimet me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dështuan dhe nuk u arrit një marrëveshje për presidentin.

Kryeministri Albin Kurti fajësoi opozitën për këtë situatë, duke theksuar se pakica parlamentare nuk do përgjegjësi, por kërkon vetëm bllokimin e punës së qeverisë. Seancat kanë dështuar njëra pas tjetrës për mungesë kuorumi ndërsa kandidaturat e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë marrë numrin e duhur të votave.

Si propozim nga Lidhja Demokrative e Kosovës, u hodh emri i ish-presidentes Vjosa Osmani, por që nuk u zyrtarizua si kandidaturë pasi nuk mori 30 vota nga parlamentarët.

zgjedhje kosove president

Lini një Përgjigje