TAGS-AT E JAVËS

Kosova29 Prill 2026, 08:24

Kosova në zgjedhje, mungon buxheti; a do të kemi një përballje të drejtpërdrejtë Kurti-Osmani?

Shkruar nga Pamfleti
Kosova në zgjedhje, mungon buxheti; a do të kemi një
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Ushtruesja e detyrës së Presidentes pritet të përcaktojë datën se kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, ndërsa KQZ-së i duhet të përcaktojë me shpejtësi fondin që do të përdoret për përgatitjen e procesit…

Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi nuk mundi të zgjidhë krizën për Presidentin, bazuar në afatin Kushtetues.

Zgjedhjet do të mbahen brenda 45 ditësh dhe praktikisht Kuvendi i Kosovës është i shpërndarë. Vëmendja tashmë do të jetë në organizimin e procesit, i dyti brenda 6 muajsh, por edhe në skenarin që mund të çojë në një përballje mes Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, dhe Vjosa Osmanit, ish-Presidentes së Kosovës.

Kjo e fundit ka lënë të hapur mundësinë që në zgjedhjet e parakohshme, data e të cilave do të përcaktohet nga Presidentja në detyrë, do të garojë dhe me shumë gjasë ajo do të rikthehet në rradhët e LDK-së, ose në mbështetje të plotë të kësaj partie. Kjo do të thotë se nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhje të kemi një përballje të drejtpërdrejtë mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, dy prej politikanëve në Kosovë, që në zgjedhje kanë pasur suportin më të madh, me votën popullore.

KQZ në Kosovë ka ngritur alarmin për mungesën e buxhetit sa i takon organizimit të zgjedhjeve. Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, shprehet se mbajtja e një tjetër procesi zgjedhor, i treti brenda dy vitesh, paraqet sfidë të konsiderueshme për KQZ-në dhe administratën e tij.”

Elezi ka bërë të ditur se për vitin 2026 nuk është planifikuar asnjë proces i rregullt zgjedhor, dhe për këtë arsye, në ndarjet buxhetore të këtij institucioni nuk janë përfshirë mjete për një proces të mundshëm të parakohshëm.

Thënë shkurt, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nuk ka para, nuk janë përcaktuar fonde.

Çështja e parë që do të trajtohet nga ana e KQZ-së është planifikimi i buxhetit për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, tha ai.

Zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në dhjetor 2025, i kushtuan Kosovës 11.5 mln euro, ndërsa ende nuk dihet se sa do të jetë kostoja financiare për zgjedhjet e afërta.

Ne nuk mund ta dimë aktualisht se sa mund të jetë kostoja e përafërt e organizimit të një procesi, sepse çdo proces ka specifikat e tij. Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat ishin të parakohshme, pra ato të 28 dhjetorit, ka qenë në vlerën e 11.5 milionë eurove”, tha Elezi.

Përplasjet politike

Albin Kurti, kryeministri në detyrë i Kosovës, nuk kurseu akuzat në drejtim të opozitës, pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë Presidentin e ri dhe të shmangte një krizë politike, që e çon Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Në një konferencë për mediat, në orët e para të 29 prillit, Kurti, i shoqëruar edhe nga kandidatja për presidente të propozuar nga Vetëvendosje, Feride Rushiti, ka akuzuar opozitën për bllokim të procesit dhe sjellje jo institucionale, duke thënë se ajo ka pamundësuar vazhdimin e raundeve të votimit për zgjedhjen e presidentes.

Jemi këtu bashkë në Kuvendin e Republikës me kandidaten për presidente të Republikës, doktoreshën Feride Rushiti, e cila mbrëmë gjatë përpjekjes për të konsumuar raundin e parë të zgjedhjes së presidentes së re mori 63 vota që ishte dëshmi se Kosova si shtet i pavarur, si republikë demokratike, mund të ketë presidente të re, mirëpo ajo çfarë mungon është opozita, e cila me sjelljen e saj jo shtetërore, anti institucionale, me bojkotin dhe bllokimin pamundësoi konsumimin e raundit të parë për të vazhduar me raundin e dytë e të tretë”, ka deklaruar Kurti. 

Por duket se partitë e opozitës kanë një tjetër qasje mbi krizën e shkaktuar që e çon Kosovënn ë zgjedhje të parakohshme. Për 3 partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, mënyra se si Albin Kurti tentoi të gjejë një zgjidhje ishte e rrezikshme për demokracinë.

Sipas PDK-së, përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, ndërsa institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues janë mbrojtur.

PDK thekson se "pushteti aktual mban përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar, duke e cilësuar atë si shkaktar të krizave të njëpasnjëshme politike, të keqqeverisjes, krizave ekonomike, shpërdorimit të besimit të qytetarëve dhe abstenimit nga përgjegjësitë ndaj shtetit dhe qytetarëve. Në përputhje me Kushtetutën, sipas kësaj partie, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor". PDK kërkon nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.

“Republika u mbrojt sot. Tani është radha e qytetarëve”, thuhet në reagimin e PDK.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një reagim e konsideron si shpëtim për demokracinë në Kosovë, mosrealizimin e skenarit të Albin Kurtit.

Tahiri theksoi se në zgjedhjet e ardhshme, AAK-ja do të rikthehet fuqishëm.

Me të vërtetë secilin qytetarë të Kosovës po e mban në ethe. Edhe ne seancën e fundit, kryeministri i Kosovës, e keqpërdori foltoren duke e goditur skajshmërisht opozitën, duke u mundu me hudh fajin tek subjektet opozitare. Nuk u fol për përgjegjësinë që populli i Kosovës ia ka dhënë partisë së parë. Është për keqardhje, është për dhimbje. Ajo që dua ta adresojë sot është se, “sot shpëtoi demokracia në Kosovë”. Pra sot, fitoi Kosova. Sot nuk iu nënshtruam diktatit të numrave. Pa dyshim që ky është një moment bukur sfidues, vendi po shkon në zgjedhje, themi se ky do të jetë momenti i rikthimit të madh të AAK-së”, tha Tahiri.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Vetëvendosje e ka parë kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmanin, vetëm si kuorum dhe jo si presidente të vendit.

“E shihnim Vjosën si Presidente të denjë të Republikë ssë Kosovës, por këto vota nuk u dhanë nga Lëvizja Vetëvendosje. Vjosën nuk e deshën, nuk e votuan, besoj që populli do të ketë mendim ndryshe. LDK do të vijë me një listë të shkëlqyeshme”, tha ai. 

Abdixhiku mes tjerash tha se partia duhet të hyjë në një proces bashkimi dhe riorganizimi politik brenda saj, duke kritikuar edhe mënyrën e funksionimit të pushtetit aktual.

“Tash jemi në fazë të zgjedhjeve. LDK-së dhe mua na takon të bëjmë bashkimin e madh të së djathtës brenda LDK-së, dhe në këtë bashkim të madh të afrojmë të gjithë njerëzit e mirë që e ndërprejnë marrëzinë institucionale të kësaj partie, të një individi, që është i pangopur me pushtet dhe është i paaftë të bëjë minimalisht diskutim me palët tjera”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje pasi, sipas tij, pushteti ka kërkuar nënshtrim politik.

“Po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti me 51% kërkoi nënshtrim. Ne zgjodhëm Republikën. Kërkuan konsensus. Ua dhamë. U takuam. Kërkuan emra. Thamë Vjosën. E injoruan. Kërkuan nënshkrime. Ua dhamë, 15 sosh, sa i kishim. Në fund, kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin. Këtë s’mund ta kishin”, ka thënë Abdixhiku. /Pamfleti/



kosova zgjedhje osmani kurti

Lini një Përgjigje