TAGS-AT E JAVËS

Kosova28 Prill 2026, 21:35

Përparim Rama kundër Kurtit: Kosova nuk i përket një lideri, por qytetarëve

Shkruar nga Pamfleti
Përparim Rama kundër Kurtit: Kosova nuk i përket një lideri,
Kurti-Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është përfshirë në debatin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke artikuluar kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për mënyrën e menaxhimit të situatës politike.

Ai theksoi se zhvillimet e fundit në Kuvend janë shqetësuese dhe reflektojnë, sipas tij, një përqendrim të pushtetit që cenon funksionimin demokratik të shtetit. “Kosova nuk i përket një lëvizjeje, një lideri apo një narrative të vetme. Ajo u përket qytetarëve të saj”, u shpreh Rama.

Sipas tij, situata aktuale nuk përfaqëson një qeverisje të shëndetshme, por një model që, siç tha ai, mbart rreziqe për kontroll dhe përjashtim institucional. “Ajo që po shohim nuk është qeverisje e shëndetshme, por një model alarmues kontrolli, përjashtimi dhe kapjeje të institucioneve”, deklaroi kryetari i kryeqytetit.

Rama nënvizoi se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi parime si pluralizmi, transparenca dhe llogaridhënia, duke shtuar se asnjë forcë politike nuk duhet t’i tejkalojë këto standarde. “Asnjë parti e vetme, pavarësisht fuqisë së mandatit që ka, nuk ka të drejtë t’i trajtojë institucionet shtetërore si zgjatje të makinerisë së saj politike”, u shpreh ai.

Ai ngriti shqetësimin se, sipas tij, kufiri mes partisë dhe shtetit po zbehet gjithnjë e më shumë. “Vendimet po centralizohen, zërat kundërshtues po anashkalohen dhe proceset demokratike po dobësohen”, tha Rama, duke shtuar se Kuvendi rrezikon të humbasë rolin e tij si forum i debatit dhe llogaridhënies.

Kryetari i Prishtinës u ndal edhe te ndikimi që kjo situatë ka te qytetarët, duke theksuar nevojën për një qeverisje që fuqizon pushtetin vendor dhe nxit bashkëpunimin. Ai bëri thirrje për rezistencë ndaj çdo tendence për monopolizim politik dhe për më shumë dialog.

Demokracia nuk është vetëm çështje e fitimit të zgjedhjeve, është mënyra se si ushtrohet pushteti më pas”, deklaroi Rama, duke shtuar se Kosovës i nevojitet “balancë, dialog dhe lidership që bashkon, e jo që ndan”.

Postimi i plotë

Kosova nuk i përket një lëvizjeje, një lideri apo një narrative të vetme. Ajo u përket qytetarëve të saj.

Situata që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës është thellësisht shqetësuese dhe pasqyron një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit, që minon vetë themelet e republikës sonë demokratike. Ajo që po shohim nuk është qeverisje e shëndetshme, por një model alarmues kontrolli, përjashtimi dhe kapjeje të institucioneve.

Kosova është ndërtuar mbi parimet e pluralizmit, transparencës dhe llogaridhënies. Asnjë parti e vetme, pavarësisht fuqisë së mandatit që ka, nuk ka të drejtë t’i tejkalojë këto parime apo t’i trajtojë institucionet shtetërore si zgjatje të makinerisë së saj politike. Megjithatë, pikërisht drejt kësaj rruge jemi duke shkuar.

Vetëvendosje gjithnjë e më shumë e ka zbehur vijën ndarëse mes partisë dhe shtetit. Vendimet po centralizohen, zërat kundërshtues po anashkalohen dhe proceset demokratike po dobësohen. Kuvendi, që duhet të jetë zemra e debatit të hapur dhe përfaqësimit, rrezikon të shndërrohet në një vulë formale, në vend se të mbetet një forum i vërtetë i llogaridhënies.

Si Kryetar i Prishtinës, e shoh nga afër se si kjo qasje ndikon tek qytetarët. Qeverisja duhet t’i fuqizojë komunat, të nxisë bashkëpunimin dhe t’u shërbejë nevojave reale të njerëzve, jo të shtrëngojë kontrollin politik nga qendra.

Duhet t’i rezistojmë çdo tendence për monopolizim politik. Demokracia nuk është vetëm çështje e fitimit të zgjedhjeve, është mënyra se si ushtrohet pushteti më pas. Ajo kërkon përmbajtje, përfshirje dhe respekt për institucionet.

Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet balancë, dialog dhe lidership që bashkon, e jo që ndan. E ardhmja jonë varet nga mbrojtja e normave demokratike, jo nga zbehja e tyre.

rama kurti

Lini një Përgjigje