
Sulmi i djeshëm në veri të Kosovës nga terroristët serbë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe ngelën të plagosur 2 të tjerë është ne qendër të vëmendjes.
Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi ka komentuar trazirat në veri dhe grupin e armatosur serb që ishte futur në veri dhe hapën zjarr duke lënë të vdekur një polic dhe plagosur dy të tjerë. Ibishi tha se qëllimi i tyre ishte destabilizimi i Kosovës.
“Ata kanë shfrytëzuar kufijtë për të futur armatimin, kjo e fundit që lidhet me këtë aksion është një ndërhyrje e një grupi terrorist, kjo ishte një betejë e vërtetë që ka pasur qëllim ta destabilizojë Kosovën, të inskenuar nga Beogradi. Kanë gjetur një pikë strategjike, më afër kufirit me Novi Paza dhe kanë e menduar se duke shfrytëzuar objektin e manastirit të nisin me një sulm, bllokadë të rrugëve dhe kur reagon policia të kryejnë akte terroriste me tendencë që kjo të zhvillohet në të gjithë veriun”, tha Ibishi.
Analisti Dritëro Arifi u shpreh se grupi i strukturuar ka pasur mbështetjen e Beogradit dhe sipas tij një pjesë e shtetit ose e sistemit të sigurisë ka qenë në dijeni të sulmit që ata do kryenin pasi kanë pasur mbështetje sa u takon armatimeve.
“Parë nga organizmi, struktura, armatime ka qenë i përgatitur, por ndoshta momenti është përveç të mbahet në këtë fazë, si pas dështimit të negociatave, pala serbe ka menduar se Kosova është në pikën më të ulët të imazhit diplomatik, dhe kanë menduar të shfrytëzojnë këtë situatë duke krijuar kaos në veri. Qëllimi është autonomi apo ndarje në veri. Shteti serb ka qenë në dijeni, apo një pjesë e sistemit të sigurisë, se të gjitha armatimet dhe inteligjenca janë asistuar nga Serbia. Kjo është goditje e madhe për Serbinë dhe serbët lokal atje”, tha Arifi për “Report TV’.
Ndërkohë, për analistin Nezir Kraki kjo vjen pasi ndërkombëtarët përkëdhelin Serbinë.
“Kam muaj mos të them vite që alarmoj me shkrime se qasja e ndërkombëtareve karshi Serbisë është e gabuar dhe përkëdhelja e Serbisë nga ndërkombëtarët, sidomos nga Escobar dhe Lajçak, s’do japë rezultat tjetër veç apetiteve serbe që sa vijën e shtohen për të destabilizuar Balkanin”, tha Kraki.
Lini një Përgjigje