Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla në një intervistë për RTK ka deklaruar se disa prej personave që sulmuan policinë janë pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” organizatë serbe e shpallur terroriste nga qeveria.
Gjithashtu bëri të ditur se në automjetet e grupit të armatosur janë gjetur edhe dokumenta ruse. Zveçla tha se po vijojnë kërkimet për të arratisur, por ende nuk ka informacion se sa është numri i tyre.Qeveria e Kosovës shpalli më (29 qershor) organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat veprojnë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Çfarë është “Mbrojtja Civile”?
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë. Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011. “Mbrojtja civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka vlerësuar se “Mbrojtja Civile” është e rrezikshme për sigurinë e Kosovës, pasi që përbëhet nga pjesëtarë që kanë kryer trajnime ushtarake. Në fillim, organizata ka pasur rreth 500 anëtarë, por ky numër është rritur në mbi 750, më 2013 dhe 2014. Edhe pse është organizatë ilegale dhe e paregjistruar, Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë atë, për shkak se nuk ka pasur autoritet të plotë në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.
Lini një Përgjigje