TAGS-AT E JAVËS

Kosova 2 Shkurt 2024, 21:32

Vendimi i Kurtit për heqjen e dinarit serb dhe skenarët e një konflikti të mundshëm në veri të Kosovës!

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi i Kurtit për heqjen e dinarit serb dhe skenarët e një

Duke marrë në analizë të gjithë këto faktorë, vendimi i Kurtit për dinarin serb është një thikë me dy presa, i cili ose do të nxisë trazira dhe konflikt të ri në veri të vendit ose do të izolojë më tepër Kosovën me sanksione të reja. Një skenar i tretë, ku Kosova del pa u dëmtuar nga ky vendim ekziston, por me shumë pak gjasa për të ndodhur.

Nga data 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës futi në fuqi rregullat e reja që heqin nga qarkullimi dinarin serb, duke lënë euron si të vetme valutë zyrtare në vend.

Ky vendim i marrë nga qeveria e Albin Kurtit, ka nxitur një reagim të madh, si në Beograd ashtu dhe në arenën ndërkombëtare, me këta të fundit që e kanë kritikuar këtë lëvizje duke e quajtur atë të nxituar.

Por pavarësisht thirrjeve të aleatëve nga SHBA, Franca, Gjermania etj, Kurti nuk u tërhoq nga vendimmarrja e tij.

Rregullorja ka nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb, duke rritur kështu shqetësimet e diplomatëve perëndimorë se ajo mund të nxisë tensione të reja.

Por sa reale janë shanset e një konflikti në veriun e Kosovës?

Ky vendim i Kurtit, rrezikon që të përsërisë sërish tensione në veri të Kosovës. Pak a shumë,  është e njëjta situatë si me vendimin për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe të identifikimit, në 2022. Këmbëngulje e cila çoi kryetarët serbë të komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok që të dorëhiqen, e cila solli më pas një sërë trazirash në Veri.

Gjithashtu, vendosja më pas në këto komuna e kryetarëve shqiptarë, pas mospjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhjet e parakohshme solli një ngërç të ri në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Qytetarët serb në këto komuna u ngrit në tubime të dhunshme dhe u përpoqën të mos lejonin futje e kryetarëve të rinj në institucione. I ndodhur në këtë situatë, Kurti dërgoi policinë për të futur kryetarët e rinj në komuna gjë që e agravoi më tej situatën.

Serbët përshkallëzuan tubimet e tyre dhe si rezultat plagosën disa trupa paqeruajtës të KFOR-it. Këtu lindi dhe përplasja e radhës e Kurtit me ndërkombëtarët.

Pavarësisht kërkesës së këtyre të fundit për të larguar kryetarët e rinj nga institucionet deri sa të qetësohej situata, Kurti nuk pranoi. Më tej, serbët deklaruan se duan të futen në zgjedhje dhe kërkuan nga faktori ndërkombëtar që kryetarët aktual të shkarkoheshin, gjë që u refuzua nga Kurti.

Kështu që në shtator të 2023, Bashkimi Evropian përgatiti masa kufizuese ndaj Kosovës, për shkak të dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në komunat në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe.

E gjithë kjo situatë kulmoi më pas, më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur ndërsa po shkonte për të hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.

Pasi qëlloi ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, ndërsa përleshjet me policinë e Kosovës vijuan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa arrestoi gjashtë të tjerë.

Thënë të gjitha këto, vendimi i shumë kundërshtuar nga ndërkombëtarët mund të sjellë një konflikt në veriun e Kosovës. Por ndryshe nga viti i kaluar kur SHBA dhe partnerët ishin të fokusuar vetëm në një front lufte dhe mbajtja nën kontroll e një konflikti të mundshëm në Ballkan mund të ishte më e thjeshtë, këtë herë gjërat kanë ndryshuar.

SHBA dhe BE po përballen me dy fronte të mëdha lufte në Ukrainë dhe Gaza. Konflikte të cilat ju kanë hapur një telash të madh si gjeopolitik ashtu dhe ekonomik, duke pasur parasysh që po i financojnë të dyja dhe tekat e Kurtit mbase nuk do të kalojnë aq lehtë në sytë e tyre.

Duke marrë në analizë të gjithë këto faktorë, vendimi i Kurtit për dinarin serb është një thikë me dy presa, i cili ose do të nxisë trazira dhe konflikt të ri në veri të vendit, ose do të izolojë më tepër Kosovën me sanksione të reja. Një skenar i tretë, ku Kosova del pa u dëmtuar nga ky vendim ekziston, por me shumë pak gjasa për të ndodhur./Pamfleti

kurti dinari serbia

Lini një Përgjigje