TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Korrik 2023, 14:40

Trazirat në Veri të Kosovë, Sunak ultimatum Kurtit dhe Vuçiçit: Parandaloni dhunën

Shkruar nga Pamfleti

Trazirat në Veri të Kosovë, Sunak ultimatum Kurtit dhe

Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbetet e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, teksa së fundmi shqetësimin e tij e ka shprehur kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak.

Deputetja britanike, Alicia Kearns e pyeti kryeministrin Sunak se a do të ketë angazhim nga ai për zgjerim të mandatit të KFOR-it, në mënyrë që të merret edhe me kontrabandimin e armëve që po futen nga Serbia në Kosovë.

Duke folur për një “dështim ndërkombëtar” në parandalimin e situatës në Kosovë, Kearns tha se “kjo reflektohet më së miri nga reagimi i BE-së dhe SHBA-së dhe ndëshkimet e fundit të Kosovës përballë antagonizmit serb dhe retorikës secesioniste të Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Si kryeministër, a do të angazhoheni tani që ne do t’i bashkohemi EUFOR-it, ku do të shtoja se si Turqia ashtu edhe Kili janë anëtarë, dhe a do të konsideroni gjithashtu lobimin për një zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që ata të përballen me çështjet ilegale, pra armët që dërgohen nga Serbia në Kosovë, të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi dhe po armatosen milicitë në Kosovë”, pyeti deputetja Kearns.

Në përgjigjen e tij Sunak tha se i dënon sulmet e paprovokuara ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, ndërsa tregoi se u kanë bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç që t’i ulin tensionet dhe ta parandalojnë dhunën.

“Gjëja e parë për të thënë është se ne dhe Qeveria mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe do të vazhdojmë të marrim masa kundër atyre që e kërcënojnë këtë. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar, unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, të cilën ju e njihni dhe i dënojmë shumë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë përgjegjësi për ta ulur tensionin dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”, u shpreh Sunak, duke shtuar se duhet gjetur rruga për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Sa i përket pyetjes së deputetes Kearns për t’iu bashkuar EUFOR-it, që është misioni ndërkombëtar përgjegjës për zbatimin e pjesës ushtarake të Marrëveshjes së Dejtonit, Sunak tha se mospjesëmarrja e Mbretërisë së Bashkuar në të “nuk pasqyron rëndësinë e operacionit për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe se po përpiqemi të vazhdojmë të eksplorojmë mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin me misionin”.

Më tej, mësohet se deputetja Kearns në fund i bëri thirrje qeverisë britanike që ta ndjekë nga afër këtë situatë. Ajo mendon se Mbretëria e Bashkuar duhet t’i bashkohet BE-së dhe ta zgjasë mandatin e KFOR-it në Kosovë, duke thënë se “jemi në epokën e Diplomacisë Parandaluese”. Ajo thotë se “koha për ta mbrojtur stabilitetin është tani” dhe se “mbrojtja nuk është përshkallëzim”.

tensione veri kosove sunak kurti vucic

Lini një Përgjigje