
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha të shtunën se BE-ja pa SHBA-të dhe NATO-n, është një “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.
Kjo deklaratë e saj ka nxitur reagime të shumta si nga ndërkombëtarët ashtu edhe opozita në Kosovë.
Këtë deklaratë ministrja Gërvalla e bëri gjatë një fjalimi në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, ku tha se BE-ja nuk mund të ofrojë paqe dhe siguri në Evropë.
Përfaqësues të opozitës në Kosovë kritikuan fjalimin e ministres Gërvalla duke e cilësuar “të papërgjegjshme” deklaratën e saj për BE-në.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke i quajtur papërgjegjësi “e përzier me megalomania dhe injorancë”.
“Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megalomani dhe injorancë. Zatën, këto të tria rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, ‘tigër prej letre’ i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të”, ka shkruar ajo në Facebook.
E zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se Gërvalla “e zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele”, ka marrë përgjigjen e duhur nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.
“Ajo e godet BE-në si ‘një tigër prej letre’ duke aluduar se BE-ja u dashka t’i jap siguri Kosovës dhe eventualisht të hyjë në luftë për të!? E zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët Lajcak e Escobar”, ka shkruar Halimi në Facebook.
Edhe zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili ka reaguar pas deklaratës së ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila e quajti BE-në “tigër prej letre”.
“Dështim pas dështimi si kryediplomate, pa asnjë sukses për më shumë se dy vjet, Gërvalla paska vendosur t’i japë leksione BE-së duke përdorur një idiomë të Mao Ce Dun, komunistit kinez”, ka thënë Xhemaili.
Ai ka shtuar se Qeverinë Kurti duhet dërguar në shtëpi para se dëmi të bëhet i pariparueshëm.
Lini një Përgjigje