Aleksandar Vuçiç, po kërkon një qasje të ngjashme ndaj Kosovës, si Rusia ndaj Ukrainës. Ashtu si Putini edhe presidenti serb ka folur për demilitarizim...
Moska i ka dalë në krahë presidentit serb Aleksadër Vuçiç, sa i takon nismës së tij për thirrur Këshillin e Sigurisë në OKB, mbi situatën në Kosovë.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se propozimi i Serbisë është i duhuri dhe ata do të kenë mbështetjen e Moskës.
"Ne jemi të shqetësuar për spiralen e re të përshkallëzimit të dhunës në provincën autonome serbe të Kosovës dhe Metohisë. Situata po del jashtë kontrollit dhe ekziston një kërcënim i menjëhershëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë", tha Zakharova.
Ajo vijoi të abuzojë duke thënë se problemi qëndron në politikën e spastrimit etnik, dëbimeve dhe terrorit ndaj serbëve të udhëhequr nga "autoritetet" shqiptare të Kosovës dhe paralajmëroi se e gjithë kjo po ndodh me mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe BE-së.
"Kryeqytetet perëndimore janë duke kërkuar mënyra të reja për të ushtruar presion mbi Beogradin dhe popullin serb, duke sajuar akuza të paturpshme, duke përfshirë ato të drejtuara kundër përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe. Rusia ndan mendimin e Presidentit të Serbisë për situatën aktuale të krizës”, theksoi Zakharova.
Ajo tha se çdo hap drejt zgjidhjes së krizës në Kosovë dhe Metohi, si dhe dialogu ndërmjet palëve të interesuara, duhet të bëhet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç njoftoi se do të kërkojë takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg lidhur me tensionet në Kosovë dhe më pas një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Vuçiç tha se kërkesa e Beogradit drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së përmban thirrje për ndërprerjen e aktiviteteve të të gjitha strukturave kosovare që paraqesin rrezik për Serbinë, si dhe për të kryer demilitarizimin. Pra ai përdori të njëjtën retorikë si Putin. Edhe presidenti rus, para se të ndërhynte në Ukrainë fliste për demilitarizim.
“Në atë seancë do të kërkojmë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së t’i kërkojë KFOR-it të veprojë sipas rezolutës 1244 dhe të kryejë demilitarizimin e të gjitha formacioneve shqiptare në përputhje me të njëjtën rezolutë. Unë personalisht do të marr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë presidenti serb.
Lini një Përgjigje