
Avokati serb, Çedomir Stojkoviç deklaron se 3 policët e Kosovës që dy ditë më parë u rrëmbyen dhe më pas u vunë në pranga nga forcat speciale serbe duhet të lirohen, pasi sipas tij nuk ka asnjë bazë ligjore për ndalimin e tyre.
Me anë të një postimi në Twitter, avokati ka thënë se nëse ata nuk lirohen, Serbia do të shkelë Marrëveshjen e Brukselit. Stojkoviç më herët njoftoi se 3 policët kufitarë ndodhen në Kralevë ku po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj tyre.
“Policët e Kosovës duhet të lirohen. Nuk ka asnjë bazë reale ligjore për ndalimin e tyre. Nëse nuk lirohen, kjo do të thotë se Serbia po shkel Marrëveshjen e Brukselit, por edhe se nuk ka ndërmend paqen me Kosovën. Nëse Serbia bën të kundërtën, do të thotë se po shkel Marrëveshjen e Brukselit. Dhe Serbia po bën pikërisht të kundërtën”, ka shkruar Stojkoviç.
Sipas raportimeve të mediave serbe, policët e marrë peng që nga mëngjesi i sotëm janë duke dhënë dëshminë e tyre në Prokurorinë e Kralevës. Në orën 12:30, kur edhe skadon 48 orëshi i ndalimit policor Gjykata serbe do të vendosë nëse do të lihen në paraburgim apo do të lirohen.
Lini një Përgjigje