TAGS-AT E JAVËS

Kosova30 Nëntor 2024, 21:00

Shpërthimi në Zubin-Potok, Shqipëria ndihmon me energji elektrike Kosovën

Shkruar nga Pamfleti

Shpërthimi në Zubin-Potok, Shqipëria ndihmon me energji elektrike

Pas shpërthimit në Zubin-Patok, Shqipëria i ka dhuruar Kosovës energji elektrike për të përballuar situatën.

Korporata Energjetike e Shqipërisë i ka ofruar sasi energjie Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për të përballuar situatën e krijuar me njësitë prodhuese të energjisë në Kosovë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se do të mbështesë Kosovën në këtë situatë, pas një shpërthimi të fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut i cili dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

“KESH do të vazhdojë të mbështesë KEK deri në mbrëmje dhe nëse do të ketë nevojë, do të ofrohet mbështetje edhe në ditët në vijim. Ky veprim është pjesë e angazhimit të dy korporatave për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm me energji për qytetarët dhe bizneset në Kosovë”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Kjo vjen si vijim i marrëveshjes së shkëmbimit dhe marrëdhënieve te bashkëpunimit mes dy korporatave.

Çfarë ndodhi?

Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, megjithatë sipas autoriteteve të Kosovës, dëmi material ishte i madh pasi ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për mediat pak para mesnate duke njoftuar se sulmi “i rëndë kriminal, terrorist dhe dashakeq”, e ka fillesën në Serbi.

Ai u shpreh se nëse dëmi në kanalin e ujit nuk riparohet një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike.

Lini një Përgjigje