
Shumica e pajisjeve janë të prodhimit serb, por që disa pajisje janë ekskluzive ushtarake dhe nuk gjenden as në tregun e zi.
Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla ka dalë në një deklaratë për mediat pas sulmit me eksploziv ditën e djeshme ndaj kanalit në Ibër-Lepenc.
Ai shprehet se pas kontrolleve, policia ka arrestuar 8 persona, si autorë të dyshuar për sulmin në Veri. Policia ka sekuestruar arsenal armësh, pajisje ushtarake, eksplozivë dhe prova tjera materiale.
Sveçla e ka cilësuar sulmin ndaj infrastrukturës jetike si më të rëndin në Kosovë, që pas fundit të luftës në vend. Ministri i Brendshëm ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë, ai autor i aktit. Ai shton se Vuçiç duhet të mbajë përgjegjësi për këtë goditje ndaj infrastrukturës kritike. Sveçla thekson se ky sulm është i mirëorganizuar dhe vjen nga grupe profesioniste kriminale.
“Janë sulme të cilat dirigjohen nga Serbia. Sulmi më kritik, më i rëndë pas përfundimit të luftës. Ne për këtë mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar. Ky sulm terrorist është i mirë organizuar, i organizuar nga grupe apo organizata që janë profesioniste, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, u shpreh Sveçla.
Ministri i Brendshëm shton se institucionet kanë bashkëpunuar me organet e drejtësisë për zbardhjen e ngjarjes.
“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla tha se institucionet e Kosovës do të parandalojnë përsëritjen e akteve të tilla terroriste, ndërsa shton se përgjegjësit e sulmit ndaj kanalit do të marrin dënimin e merituar.
“Policia do të marrë masa për parandalimin e sulmeve të tjera terroriste dhe do ndihmojë qytetarët pa asnjë dallim. Ftoj të gjithë t’iu referohen vetëm informacioneve zyrtare”, shtoi Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme ka deklaruar se shumica e pajisjeve janë të prodhimit serb, por që disa pajisje janë ekskluzive ushtarake dhe nuk gjenden as në tregun e zi.

“Eksplozivi i përdorur mbrëmë është material që vështirë që gjendet, pos që furnizimet janë nga magazinat e ushtrisë. Ne besojmë se ato kanë dalë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Policia e Kosovës do ta verifikojë këtë”, u shpreh Sveçla.
Komandanti i PK-së, Gazmend Hoxha deklaroi se janë konfiskuar 200 uniforma ushtarake, raketahedhës e pajisje të tjera, që dyshohet se lidhen me sulmin e djeshëm terrorist.
Drejtori i Policisë së Kosovës tha se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
“Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, për ta kryer këtë sulm terrorist dyshohet se janë përdorur një sasi e madhe e eksplozivit prej 15 deri në 20 kilogramë. Eksplozivi ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, u shpreh Hoxha.
Sipas Hoxhës, dyshohet se të arrestuarit janë pjesë të “Mbrojtjes Civile”, e cila ka vepruar ilegalisht në veri të Kosovës nga viti 2011. Qershorin e vitit të kaluar, qeveria e Kosovës e shpalli “Mbrojtjen Civile” organizatë terroriste.
“Ne kemi arsye të besojmë se në një formë apo tjetër, këta kanë qenë të lidhur me rastin e sulmit terrorist të mbrëmshëm dhe me aktivitete ilegale dhe shume të mëhershëm dhe shumica janë pjesë të Mbrojtjes Civile”, u shpreh ai.
Drejtori i Policisë së Kosovës theksoi se shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha, duke bërë që furnizimi me ujë të pijshëm të ndërpritet në shumë zona.

Kujtojmë se mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ndodhi një shpërthim që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Lini një Përgjigje