
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është përgjigjur deklaratave kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Ajo tha se deklarata e tij është vazhdimësi e kërcënimeve publike se Vuçiç do sulmojë Kosovën.
Osmani shtoi se Vuçiç do të dështojë, ashtu si të gjitha përpjekjet e dështuara të Serbisë deri tani.
“Njësoj si edhe në të kaluarën ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar. E para, për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare dhe e dyta, se në krah kemi pasur gjithmonë miq, popuj liridashës të cilët bashkë me ne kanë mbrojtur vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë”, tha Osmani.
Gjatë intervistës për Telegrafin, Osmani tha se Kosova është me fat dhe e bekuar që ka në krahë aleatët e saj.
“Edhe sot 25 vite pas kur në qershor do të festojmë këtë përvjetor jubilar të çlirimit të Kosovës jemi me fat e të bekuar si popull që në krahë kemi aleatët tanë të cilët bashkë me ne siç edhe kanë deklaruar së fundmi do ta mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës. Kështu që Vuçiçi sërish do të dështojë, mirëpo përmes këtyre deklaratave ai po shpërfaq një fakt shumë të rëndësishëm, e kjo është që ai është vazhdimësi e mendësisë së Millosheviçit i cili kërkon territore dhe asnjëherë nuk i intereson për të drejtat dhe liritë e njerëzve”, tha ndër të tjera presidentja Osmani.
Lini një Përgjigje