Akademiku Artan Fuga ka komentuar Asociasionin e komunave serbe në Kosovë dhe thotë se Shqipëria e ka lënë vetëm Prishtinën zyrtare.
Fuga thekson se çudi është heshtja e politikës shqiptare ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme.
"Duhet të reflektojmë shumë!Asociasioni i komunave serbe në Kosovë nuk ka të bëjë aq me Kosovën, sesa me Shqipërinë!
Këtu është sekreti i çështjes.
Çudi heshtja e politikës shqiptare ndaj kësaj çështjeje! Nuk dinë çfarë të thonë? Dinë, por kanë frikë të flasin? Kanë hallet e tyre brenda periferisë së parë të Tiranës? Nuk dinë kujt t’ja prishin dhe kujt t’ja ndreqin?
Ndërkaq ajo është çështja më e rëndësishme kombëtare pas vitit 1913!
Ndërkaq merremi me çështje: a u ftoh supa apo sa i ngrohtë është byfteku!
Trishtim i madh. Kosovarët përsëri i kemi lënë vetëm!
Sa të pazotë që jemi! Ku realiteti i hidhur, ku deliri ynë mëndjemadh!", shkruan Fuga.
Çfarë është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të përfshijë dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Themelimi i Asociacionit është parashikuar të krijohet që në vitin 2013 me Marrëveshjen e Brukselit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat e qytetarëve të këtyre komunave, kryesisht në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Në një nga pikat e para të marrëveshjes thuhet se në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës për këtë çështje, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi që të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Asociacionin.
Marrëveshja fillestare thekson se Asociacioni do të krijohet mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës – që është një organizatë jofitimprurëse e themeluar për t’i përfaqësuar dhe për t’u shërbyer interesave të këtyre komunave.
Marrëveshja shtesë mbi parimet e Asociacionit
Pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015 kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.
Kjo marrëveshje parashikon se Asociacioni do të ketë organet dhe strukturën organizative.
Sipas saj, Asociacioni është pritet të ketë një Kuvend si organ suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.
Është parashikuar që Kuvendi i Asociacionit të ketë të drejtë të miratojë amendamentet e statutit, rregulloren e punës dhe të gjitha rregulloret e nevojshme dhe udhëzimet administrative në pajtim me statutin që ndërlidhet me objektivat e tij.
Asociacioni pritet të ketë një president dhe një zëvendës president. Presidentin dhe zëvendës presidentin do t’i zgjedhë kuvendi në mesin e anëtarëve të kuvendeve komunale pjesëmarrëse dhe kryetarëve të komunave të tyre.
Ky organ do të ketë buxhetin e tij, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës e llogaridhënies dhe dispozitave të Ligjit mbi prokurimin publik.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit.
Mirëpo, gjykata kishte konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.
Bashkimi Evropian i mbetet qëndrimit se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, por duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Lini një Përgjigje