
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar sërish dialogun me Serbinë. Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ai tha se Kosova është konstruktive, e përkushtuar dhe parimore në dialogun me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel.
“Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takimet e bisedimet në Bruksel sa herë që jemi ftuar, kemi mirëpritur pritur emisarët specialë nga perëndimi sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë e do të jemi të përkushtuar, konstruktiv, parimor e kreativ”, tha kryeministri.
Ai më tej u shpreh se dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, por që sipas tij, sot nuk ka asnjë normalitet në statusin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Pra, njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, u shpreh Kurti.
Kryeministri i vendit duke pasqyruar punën që sipas tij ka bërë Qeveria e Kosovës dhe me krizat që janë përballur, tha se nga janari i vitit 2024 presin heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës ashtu siç është premtuar.
Lini një Përgjigje