
Zyrtarizimi i sanksioneve ndaj Kosovës ka shkaktuar reagime në Prishtinë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian.
Abdixhiku ka shkruar në Facebook se Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot, derisa ka shtuar se Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani.
“Pezullim i fondeve të BE-së; Pezullim i MSA-së, Pezullim i takimeve të nivelit të lartë, Pezullim i vizitave bilaterale. Sanksione Kosovës, avancim për Serbinë. Si qenka kjo fitore për ne? Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta”, ka shkruar Abdixhiku..
“Teksa ne humbasim nga programi 7.5 miliardësh për zhvillim dixhital, shtetet e rajonit ecin me hapa të mëdhenj. Kam takuar në vazhdimësi biznese nga komuniteti i IT-së, punëdhënës të jashtëzakonshëm, me potencial dhe më të madh. Sot, humbasin ata dhe të rinjtë që do të punësonin në vazhdimësi”, ka vijuar ai.
Ndërsa nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se si pasojë e qeverisjes së tij, Kosova sot “është e përçarë nga brenda dhe e sanksionuar nga aleatët”..
“Vlerat monetare të humbura nga ky sanksionim janë pakrahasimisht më të vogla se dëmi që i është bërë kredibilitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Unë e di që Kurtit nuk i bëhet vonë as për MSA e as për IPA. Tek e fundit ai dhe VV nuk kanë votuar për ratifikimin e MSA në Kuvend. Por, Kosova nuk i takon një njeriu”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Lini një Përgjigje