Kryetari i Degës së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani është sulmuar fizikisht nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në Facebook, të publikuar nga i afërmi i tij, Bahri Zabeli, i cili ka përcjellë mesazhin e Mehanit.
Ndërkohë, mjeku kujdestar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, Flamur Meziu, ka konfirmuar se Mehani ka pësuar lëndime në kokë.
Sipas tij, ekipet mjekësore kanë intervenuar pas njoftimit nga Policia.
“Policia na ka lajmëruar. Ekipa ka shkuar në vendngjarje dhe e ka dhënë ndihmën e parë. Lëndimet janë të lokalizuara në pjesën e kokës. Tjetërkund nuk ka pasur lëndime, vetëm një gërvishtje në krah, jo diçka”, deklaroi Meziu.
Ai shtoi se Mehani është transportuar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
Lushtaku ka reaguar pas incidentit të ndodhur këtë të enjte në Skenderaj.
Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku pretendon se ka pasur tentativa për ta provokuar dhe sulmuar, ndërsa shton se është ofenduar me thirrjet “Sami Serbia”.
Sipas tij, reagimi ka ardhur nga qytetarët që ndodheshin aty dhe që, sipas tij, “nuk i tolerojnë më” këto etiketime nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit, kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan”, shkroi Lushtaku.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një kafiteri në qytetin e Skenderajt.
Lëvizja Vetëvendosje publikoi edhe fotografi të Mehanit, ku ai shihet i gjakosur në pjesën e kokës pas incidentit.
Hysni Mehani mban aktualisht postin e kryetarit të LVV-së në Skenderaj dhe të zëvendësministrit në detyrë të Financave në Kosovë.
Deri tani, Policia e Kosovës nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me rastin.
Lini një Përgjigje