Rritja e rolit të Turqisë në Kosovë ka alarmuar Serbinë. Kryetari i Komision Parlamentar serb për Kosovën Millovan Drecun në një intervistë për Kurir ka thënë se sjellja e Turqisë sa i përket armatosjes dhe stërvitjes së pjesëtarëve të FSK-së, si dhe shtimi i ushtarëve në KFOR, tregon se ajo do të ketë një rol të veçantë në situatën në Kosovë.
Këtë rol sipas zyrtarit serb, Turqia po e luan me mbështetjen e SHBA-së dhe Perëndimit.
“Mos harroni se Amerika ka lejuar Turqinë të udhëheqë me bazën Bondsteel. Tani shohim që turqit kanë gati 800 ushtarë, do të kenë komandantin e tyre në NATO. Instruktorët turq trajnojnë anëtarët e FSK-së për të operuar me “Bajraktarin”. Tani janë dërguar edhe sistemet antitank, habuicat dhe mortajat. Ata kanë ekuipazhe që janë të trajnuar për të operuar me helikopterë”, ka thënë Drecun.
Sipas zyrtarit serb të gjitha Kosova ka tashmë dhe atë që i mungonte prej kohësh dhe që ishte mbrojtja ajrore, të cilën po e siguron përmes dronëve “Bajraktar”.
Sipas tij e gjithë sjellja e Turqisë po tregon se ajo po merr një rol të rëndësishëm në mbështetje të Kosovës.
“Janë trajnuar tridhjetë njerëz dhe ky nuk është një tregim i parëndësishëm. Ajo që u mungonte ishte mbështetja ajrore dhe tani e kanë dronet “Bajraktarë”. Që do të thotë që Turqia nuk mund të luajë rol të tillë në armatim pa pëlqimin e Amerikës, e cila ka ndikimin më të madh në krijimin e shtetit të Kosovës. E gjithë sjellja e Turqisë tregon se ajo do të ketë një rol të rëndësishëm në Kosovë”, tha me shqetesim zyrtari serb.
Ju rikujtojmë se Ushtria e Kosovës është përforcuar me dronë Bayraktar TB-2 të blerë nga Turqia këtë muaj.
Dronët tashmë kanë mbërritur dhe janë pjesë e arsenalit të FSK-së.
“Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tani është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare!”, tha në reagimin e tij kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Bayraktar TB2 është një mjet ajror luftarak pa pilot me qëndrueshmëri të gjatë në lartësi mesatare, i aftë për operacione fluturimi të kontrolluara nga distanca ose autonome.
Droni ka një gjatësi prej 6.5 metrash, ndërsa hapësira e krahëve shkon në 12 metra. Fluturimin e parë e ka kryer në vitin 2014, ndërsa është konfirmuar efikasiteti i lartë në luftime. Vlerësohet se çmimi për një dron Bayraktar TB2 të shkojë në 5 milionë dollarë.
Ndërsa qeveria e Kosovës nuk ka bërë të ditur ndonjë shifër për blerjen e tyre. Më pak se 500 dronë Bayraktar janë krijuar deri më tani, ndërsa edhe ushtria shqiptare ka blerë armën e fuqishme nga Turqia.
Edhe Serbia kishte bërë një porosi për blerjen e disa dronëve, por presidenti Aleksandër Vuçiç njoftoi prishjen e kontratës me Ankaranë, si shenjë proteste për armatimet e furnizuara për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Përdoruesi më aktiv i dronit mbetet Ukraina, që ka arritur të marrë rezultate të shkëlqyera në përballjen me ushtrinë e Rusisë. Madje ushtarët i kanë thurur dhe një këngë “Bayraktar-it”, që përkthehet në shqip, droni “Flamurtar”.
Lini një Përgjigje