
Dy të dyshuarit për vrasjen e xhaxhait të burrit të Vjosa Osmanit janë lënë 1 muaj në paraburgim.
Avokati mbrojtës i të dyshuarve, Arben Isufi para mediave tha se ata janë mbrojtur në heshtje, ndërsa motivet e veprës penale ende nuk dihen.
“Është shqyrtuar kërkesa e prokurorisë për caktimin e paraburgimit. Ne kemi bërë kundërshtimet mbi pretendimet për motivin e veprës penale. Ata janë mbrojtur në heshtje”, tha ai.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të premten në fshatin Bibaj të Komunës së Ferizajt, ku një person u vra në parkingun e sallës e dasmave “Fron Palace”, derisa brenda ishte duke u mbajtur një dasmë.
Mediat e Kosovës raportojnë se viktima është xhaxhai i bashkëshortit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është zyrtari i policisë Festim Ramadani i cili ka qëlluar disa herë mbi 89 vjeçarin. Mediat në Kosovë raportojnë se shkaku i vrasjes së të moshuarit, ishte abuzimi me dy motrat e autorit, kur ato ishin vetëm 10 vjeç.
Viktima ishte bashkëshorti i tezes së tyre dhe kishte strehuar familjen Ramadani gjatë kohës së luftës në Kosovë, kur ka ndodhur edhe abuzimi seksual.
Sipas të njëjtave burime, familjarët e Festim Ramadanit ishin të indinjuar me organet e drejtësisë të cilët ishin informuar për ngjarjen, por deri tani nuk ishte marrë asnjë vendim.
Lini një Përgjigje