
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen e rëndë që ka ndodhur mbrëmë në parkingun e një salle dasmash në Ferizaj.
Prokuroria njofton se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve F.R., dhe J.M., për rastin e vrasjes së rëndë në fshatin Bibaj të komunës së Ferizajt.
Mediat e Kosovës raportojnë se viktima është xhaxhai i bashkëshortit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është zyrtari i policisë Festim Ramadani i cili ka qëlluar disa herë mbi 89 vjeçarin.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas prokurorisë, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Mediat në Kosovë raportojnë se shkaku i vrasjes së të moshuarit, ishte abuzimi me dy motrat e autorit, kur ato ishin vetëm 10 vjeç.
Viktima ishte bashkëshorti i tezes së tyre dhe kishte strehuar familjen Ramadani gjatë kohës së luftës në Kosovë, kur ka ndodhur edhe abuzimi seksual, pro prokurori nuk e përmend.
Lini një Përgjigje