TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Shkurt 2026, 08:07

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK në 'kilometrin e fundit', sot deklaratat përmbyllëse në Hagë

Shkruar nga Pamfleti
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK në
Hashim Thaçi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur faza përmbyllëse e një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore pas luftës në Kosovë. Në orën 09:00 do të fillojnë deklaratat përmbyllëse në çështjen ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka hyrë në fazën finale pas disa vitesh procedura. Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse nga të gjitha palët, trupi gjykues pritet të tërhiqet për vendimin përfundimtar lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Prokuroria e Specializuar i akuzon ata për ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si dhe për burgosje, akte çnjerëzore, zhdukje me forcë dhe përndjekje. Sipas aktakuzës, këto veprime pretendohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Në ditët dhe javët në vijim pritet që deklaratat përmbyllëse të mbahen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësi i Viktimave dhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve. Katër ish-eprorët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Aktakuza ndaj katërshes u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor, ditë kur ata u transferuan në qendrën e paraburgimit. Pas fazës paraprake dhe shkëmbimit të materialeve mes palëve, gjykimi i plotë nisi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse.

Prokuroria dhe Mbrojtësi i Viktimave argumentuan se të akuzuarit kishin vepruar si pjesë e një strukture të përbashkët kriminale, ndërsa mbrojtja e kundërshtoi këtë qasje, duke theksuar mungesën e një komande të centralizuar të UÇK-së. Ekipet mbrojtëse hodhën poshtë edhe pretendimet për përgjegjësi individuale të të pandehurve për krimet e përshkruara.

Nga prilli i vitit 2023 deri në dhjetor 2025, në këtë proces janë dëgjuar dhjetëra dëshmitarë dhe janë administruar prova të shumta. Në çështje janë regjistruar rreth 155 viktima pjesëmarrëse. Prokuroria ka paraqitur dëshmi të drejtpërdrejta dhe me shkrim nga mbi 200 persona, përfshirë edhe dëshmi që janë kundërshtuar fuqishëm nga mbrojtja.

Me nisjen e deklaratave përmbyllëse, procesi ka hyrë në fazën vendimtare, ndërsa vendimi përfundimtar i trupit gjykues pritet pas përfundimit të argumenteve finale të të gjitha palëve.

uck hashim thaci gjykata e hages

Lini një Përgjigje