TAGS-AT E JAVËS

Kosova 8 Shkurt 2026, 10:44

Lugina e Preshevës në fokusin e Uashingtonit, alarmohet Serbia; presioni ndaj Beogradit përmes dy nismave

Shkruar nga Milos Miljkoviç
Lugina e Preshevës në fokusin e Uashingtonit, alarmohet Serbia;
Ilustruese

Dy nisma ligjore në Kongresin amerikan dhe përfshirja e Vjosa Osmanit në një strukturë të re të lidhur me presidentin Donald Trump kanë rikthyer vëmendjen e SHBA-së ndaj Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë te Lugina e Preshevës...

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe synimet amerikane në rajon, janë rikthyer në qendër të vëmendjes për shkak të dy projektligjeve që prekin drejtpërdrejt Serbinë dhe idesë së presidentit amerikan Donald Trump për krijimin e një “Bordi për Paqe”.

Ndërsa dy prej këtyre çështjeve janë pjesë e një politike më të gjerë, e treta, projektligji për vlerësimin e diskriminimit në Luginën e Preshevës, është e drejtuar drejtpërdrejt ndaj Serbisë.

Në një moment kur dukej se rajoni kishte dalë nga fokusi i SHBA-së për shkak të zhvillimeve të shumta gjeopolitike globale, u bë e ditur se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte ftuar të bëhej pjesë e Bordit të Paqes të inicuar nga Donald Trump. Ky veprim e riktheu vëmendjen amerikane te Ballkani Perëndimor, pavarësisht debatit mbi peshën reale që një strukturë e tillë mund të ketë në proceset ndërkombëtare.

Pak kohë më pas, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi një projektligj mbi diskriminimin e pretenduar të pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Sipas autorit, kjo është një tjetër dëshmi e ndikimit që shqiptarët, përmes diasporës së tyre të mirëorganizuar dhe lobistëve me lidhje të forta politike, kanë arritur të ushtrojnë në politikën amerikane gjatë tri dekadave të fundit.

Projektligji, i regjistruar me numrin 6411, i kërkon Sekretarit amerikan të Shtetit të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi gjendjen e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Dokumenti parashikon shqyrtimin e rasteve të ashtuquajtura të “pasivizimit të adresave”, që sipas kritikëve mund të pengojnë rinovimin e dokumenteve dhe të drejtën e votës; kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike; diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave nga Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në shqip; si dhe mungesën e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në administratën publike.

Lugina e Preshevës në fokusin e Uashingtonit, alarmohet Serbia;

Projektligji është propozuar nga kongresmeni republikan nga Teksasi, Keith Self, ish-gjyqtar dhe figurë e njohur për qëndrime konservatore. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ishte takuar me Selfin në fillim të dhjetorit, ku në fokus ishin bashkëpunimi dypalësh, çështjet globale dhe Kosova. Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë, Self deklaroi se ishte “thellësisht i shqetësuar për trajtimin e pakicave në Serbi, veçanërisht për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Ai theksoi se SHBA-ja duhet ta mbajë Serbinë përgjegjëse për t’u ofruar shqiptarëve të atjeshëm të drejta dhe mundësi të ngjashme me ato që Beogradi kërkon për pakicën serbe në Kosovë, duke krijuar kështu një lloj simetrie politike mes dy çështjeve. Self i referohet edhe raportit të Komisionit Evropian për vitin 2025, ku përmenden vonesat në kornizën institucionale për mbrojtjen e pakicave në Serbi dhe ankesat e pakicës shqiptare për mënyrën e verifikimit të statusit të banimit nga policia.

Projektligji duhet ende të kalojë votimin në Senatin amerikan dhe më pas të nënshkruhet nga presidenti Donald Trump.

Interpretimet për këtë nismë janë të shumta: nga krijimi i një mjeti shtesë presioni në dialogun Beograd–Prishtinë, deri te mesazhe paralajmëruese për Serbinë që të rreshtohet më qartë me interesat amerikane, apo thjesht një shprehje e “shqetësimit për të drejtat e njeriut” të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Një moment i favorshëm politik

Politologu Ognjen Gogiç, në një prononcim për NIN, vlerëson se lobistët shqiptarë kanë ditur të shfrytëzojnë momentin politik. Ai rikujton se vitin e kaluar Kongresi amerikan miratoi Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, ku përmenden edhe Serbia, parregullsitë zgjedhore të vitit 2023, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe rreziku i ndikimit rus dhe kinez në Ballkan.

Sipas Gogiçit, kjo tregon një qasje më të ashpër të administratës amerikane ndaj Serbisë, çka ka krijuar hapësirë për iniciativa të reja lobuese. Ai shton se përputhja kohore mes këtij projektligji dhe përfshirjes së Vjosa Osmanit në Komitetin për Paqe nuk është e rastësishme.

Lugina e Preshevës në fokusin e Uashingtonit, alarmohet Serbia;

Ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare

Diplomati me karrierë Zoran Milivojeviç thekson se synimi kryesor i kësaj nisme është rikthimi i çështjes së Kosovës në agjendën amerikane dhe internacionalizimi i çështjes së pakicës shqiptare në Serbinë qendrore. Sipas tij, bëhet fjalë për një përpjekje të vjetër për të krijuar paralele mes pozitës së serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e futur këtë temë në procesin e normalizimit mes Beogradit dhe Prishtinës.

Milivojeviç vlerëson se në këtë proces, rol të rëndësishëm luan diaspora shqiptare në SHBA, si dhe struktura që tradicionalisht kanë mbështetur narrativën shqiptare në administratat amerikane. Ai thekson se, ndryshe nga serbët, shqiptarët kanë vepruar të bashkuar në çështjet kombëtare, si në rajon ashtu edhe në diasporë, gjë që sipas tij shpjegon efektivitetin e tyre lobues. /Përshtatur nga nin.rs/

shba serbia lugina e presheves kosova

Lini një Përgjigje