TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Korrik 2023, 13:07

Pretendimet për armë kontrabandë nga Serbia, Kosova nis hetimet

Shkruar nga Pamfleti

Pretendimet për armë kontrabandë nga Serbia, Kosova nis hetimet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po punohet që të verifikohen nëse janë përdorur autoambulanca për sjelljen e armatimeve në veri në Kosovës.

Pretendimet në lidhje me kontrabandën e armëve përmes autoambulancave dhe ruajtjen e tyre nëpër kisha në Kosovë i bëri publike një ditë më parë deputetja britanike, Alicia Kearns, gjatë një debati në Parlamentin britanik.

Kurti u shpreh se për këto pretendime mund të thuhet më shumë vetëm pasi të takohet të mërkurën me përfaqësuesit e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe me institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Tash jemi duke grumbulluar të dhënat. Brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje”, tha Kurti gjatë një konferencë për mediat.

Deputetja britanike, Kearns, u shpreh se ushtarët britanikë që janë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, “zbuluan se armët po kontrabandoheshin përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë, duke përdorur autoambulanca”.

Ajo pretendoi se kur trupat britanike zbulojnë se në kisha janë dërguar armë, ata kërkojnë leje që të reagojnë, por për leje pritet gjatë, duke shtuar se pastaj i gjithë armatimi “nxirret nga kishat”.

Misioni i KFOR-it ka dalë me një shpjegim pas deklaratave të deputetes britanike dhe  thotë se “ngjarja e përmendur nga deputetja britanike i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier u angazhua në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it”. Më tej ata bëjnë me dije se rasti ishte raportuar në Shtab.

Pretendimet për kontrabandë me armë nga Serbia vijnë në mes të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Që nga fundi i majit, serbët po protestojnë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.

Serbët lokalë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan më 29 maj. Nga përleshjet janë plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

 

pretendime arme kontrabande kosove serbi

Lini një Përgjigje