
Prani e 4 grave të mbijetuara të luftës në Kosovë, pjesë e delegacionit të Vjosa Osmanit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka nervozuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe përfaqësuesin e Përhershëm rus.
I pari që reagoi ishte përfaqësuesi rus, Vasily Nebenzya i cili tha se lejimi i grave nga Kosova ishte një shkelej procedure dhe edhe nëse janë lejuar të hyjnë duhet të ishin ulur më larg.
“Kjo është shkelje e procedurës pavarësisht kush e ka bërë”, ka thënë Nebenzya.
Ndërkohë që Vuçiç, e anashkaloi akuzën për krime lufte duke thënë se është diçka që ka ndodhur 25 vite më parë dhe se sot ishin mbledhur për të folur për ngjarjet në 6 muajt e fundit.
“Dhe ajo që dëgjuam deri tash, ishte si një proces i krimeve të luftës kundrejt serbëve për diçka që ka ndodhur para 25 vjetësh. Asnjë fjalë e vetme për raportim, asgjë për 6 muajt e fundit. Pse nuk na informuan se kush do të ishte pjesë e secilit prej delegacioneve? A besoni vërtet se nuk ka gra të dhunuara serbe në Kosovë gjatë kësaj periudhe?”, tha Vuçiç.
Në reagimin e saj Osmani ka thënë se Hoti, Krasniqi, Muçolli edhe Tairi përveçse përfaqësojnë histori të trishta të luftës, janë edhe pjesë e kabinetit të saj.
“Sa i përket çështjes procedurale, përceçse janë avokate të shkathta për drejtësinë, po ashtu janë pjesëtare të kabinetit tim, të emëruara si të tilla. Kështu që janë në kapacitet këshillues, sese ato punojnë për kauzat që i kanë për zemër, për gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale dhe përkrahjen e familjeve të këtyre grave”, tha Osmani.
Përfaqësuesi rus reagoi sërish, duke thënë se gratë nuk mund të ishin pjesë e kabinetit të Osmanit për shkak se ajo nuk ka një kabinet ministrash, duke qenë se Rusia nuk e njeh Kosovën.
“Zonja Osmani mund të besojë se ka një kabinet ministrash, këshilltarësh e kështu, mirëpo sipas pikëpamjes sonë ajo nuk ka kabinet dhe nëse beson se ka, ajo është ftuar si person privat”, tha ai.
Lini një Përgjigje