
Osmani i ka kujtuar Vuçiçit se serbët në veri po torturohen nga vetë Beogradi, teksa solli në vëmendje rastin e opozitarit Sanduloviç, i cili i rrah brutalisht nga shërbimi sekret serb, pasi vendosi lule te varri i një vogëlushe të vrarë nga regjimi i Millosheviçit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar raportit gjashtëmujor për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë dhe Metohi, deklaroi se Kosova 25 vjet pas luftës është duke shkëlqyer në aspektin demokratik.
Osmani thotë se këto arritje i dëshmojnë raportet e Transparency international dhe Freedom House. Ndërkohë që theksoi se Kosova është ndër vendet më pro BE-së dhe SHBA-së në botë.
“Pas 25 vjetëve Kosova shkëlqen me suksese dhe është avokate për vlerat demokratike, që vë në pah diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe përparimin e të drejtave njerëzore për të gjithë”, ka thënë presidentja.
Kryetarja e shtetit deklaroi gjithashtu se ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb jo veç që është shënuar në historinë e vendit, por është shndërruar në pikënisje për historinë e njerëzimit.
“Ky intervenim nga NATO jo veç që ishte për ndërtim të paqes, por parimisht dhe më me rëndësi ka qenë për mbrojtjen e jetëve të njerëzve dhe të drejtën për të jetuar të lirë nga persekutimet dhe vrasjes. Intervenimi ka vënë në pah se kur një nga ne është në rrezik është rrezik për të gjithë ne. Kjo na ka përkujtuar për veprimin si forcë e përbashkët për drejtësi dhe për mbrojtjen e jetës së njeriut”, ka thënë Osmani.
Në përgjigje të pretendimeve të Vuçiçit për keqtrajtimin e serbëve në veri, Osmani tha se pretendimet e Serbisë janë të pabaza dhe gënjeshtra të sajuara. Sipas saj, Kjo narrativë është shpërberë nga Komiteti i Helsinkit e deri te Parlamenti i Europës.
“Pretendimet e Serbisë për pastrim etnik të serbëve janë të rrejshme dhe të pabaza. Këto narrativa janë diskredituar nga Komiteti i Helsinkit deri te Parlamenti i Evropës. Shteti i Kosovës jo vetëm që mbron por edhe promovon të drejtat e serbëve dhe të gjitha komuniteteve tjera”, tha ajo.
Më tej Osmani i ka kujtuar Vuçiçit se serbët në veri po torturohen nga vetë Beogradi, teksa solli në vëmendje rastin e opozitarit Sanduloviç i cili i rrah brutalisht nga shërbimi sekret serb pasi vendosi lule te varri i një vogëlushe të vrarë nga shteti serb.
Osmani, ka akuzuar Serbinë se ajo ka qenë ndezësja e agresionit ndaj Kosovës, duke përmendur këtu rastin e rrëmbimit të policëve në veri, sulmin ndaj gazetarëve kosovarë dhe sulmin në Banjskë.
Ajo deklaroi se autoritetet serbe janë përgjegjëse për sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit pasi autorët e sulmit qarkullojnë lirshëm në Serbi e vazhdojnë të marrin kontrata të mëdha nga qeveria e Vuçiçit.
“Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive. E ka eskaluar agresionin fillimisht me kidnapinimin e policëve, sulmin ndaj gazetarëve e sulmin terrorist ndaj Kosovës në shtator. Pas këtij sulmi, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka përdorur prani të madhe ushtarake të artilerisë me tanke e njësi të mekanizuara...Serbia bën përpjekje për të prishur integrimin e serbëve në Kosovë...Serbët në Kosovë janë nën trysni, por jo nga Kosova po nga Qeverisë e Serbisë”, është shprehur presidentja Osmani.
Duke folur për procesin e votimit në veri, Osmani ka theksuar se serbët lokalë u mbajtën nën presion dhe s’e shfrytëzuan mundësinë për votim ditën e djeshme.
Osmani me vete sot në seancë mori edhe katër heroina të Kosovës: Elhame Muqollin, Vasfije Krasniqi-Goodmanin, Shyhrete Tahiri-Sylejmanin dhe Fahrije Hotin. E para e vendit përmendi Masakrën e Poklekut, pjesë e së cilës ishte Elhame Muqolli e që i shpëtoi kësaj masakre.
“Pesë ditë më parë, ne shënuam 25 vjetorin e njërës prej masakrave më mizore, më çnjerëzore të regjimit të Millosheviqit. Elhame Muqolli, që më shoqëron sot në takim, ishte vetëm 14 vjeçe kur shtëpia e saj u bastis nga forcat policore të Serbisë. Fillimisht u qëllua mbi 53 civilë, kryesisht fëmijë, pasi të gjithë ishin mbledhur në një dhomë. Ndërkohë që policia u largua për t’u furnizuar, Elhamja arriti të hidhej nga dritarja dhe të largohej me vrap, pavarësisht se ishte plagosur nga plumbat. Menjëherë pas kësaj, policia u kthye e pajisur me benzinë për t’i vënë flakën të gjithë 53 civilëve. Elhamja nuk do të mund të harrojë kurrë ulërimat shurdhuese të disa prej fëmijëve që ishin ende gjallë teksa po digjeshin. Dhe si të mos mjaftonte kjo, policia i vuri flakën vazhdimisht. Fëmijët e vegjël 6 dhe 10 muajsh u dogjën në përpjekje për t’i zhdukur nga faqja e dheut vetëm se ishin shqiptarë; vetëm sepse i përkisnin një etnie të ndryshme nga ajo e policëve dhe ushtrisë. Shkalla e djegies së trupave ishte aq e rëndë sa që anëtarëve të mbijetuar të familjes u mbeti aq pak nga më të dashurit e tyre sa të mund t’i vendosnin të gjitha 53 viktimat në një varr të vetëm. Një memorial u ndërtua në përkujtim të viktimave afër vendit ku ndodhi gjithçka, por asnjë politikan serb – asnjë i vetëm, nuk u gjunjëzua para varrit të atyre fëmijëve të vegjël. Dhe kur mendon se masakra të këtyre përmasave ndodhën pothuajse në çdo cep të vendit, me fëmijë të vegjël, gra, duke përfshirë edhe shtatzëna, të vrarë pa mëshirë, për shkak të mendësisë luftënxitëse që është ende e gjallë dhe ka nisur në Beograd”, tha Osmani.
Po ashtu kryetarja e shtetit të Kosovës, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, asnjëherë nuk ka kërkuar falje për masakrat që janë bërë nga Serbia në Kosovë.
“Pra, zonja dhe zotërinj, ju mund të dëgjoni propagandën e Vuçiqit dhe ta lini atë të shtyjë revizionizmin e historisë së tij bazuar në librin e lojërave të Rusisë, por e vetmja e vërtetë për regjimin e Vuçiqit është ajo që është një mohim i vazhdueshëm dhe duke mos pranuar kurrë përgjegjësinë për këto krime të tmerrshme; duke mos kërkuar falje asnjëherë apo duke treguar një shenjë pendimi. Kurrë. Masakra e Poklekut, si të gjitha masakrat nëpër Kosovë, tregoi se Millosheviqi dhe ministri i tij i atëhershëm i propagandës, sot ulur në karrigen e një presidenti, jo vetëm që kërkonin të fshinin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut, por edhe të shkatërronin provat në tërësi dhe të mos linin asnjë dëshmitar. Megjithatë, ata dështuan, pa pushim. Derisa Elhamja ulet me mua sot këtu, duke kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësisë, Vuçiqi, i ulur atje, ende ofron strehim, mbrojtje dhe promovim, për njësitë speciale të policisë dhe brigadën e ushtrisë që kreu krimet kundër familjes së Elhames”, tha ajo./Pamfleti
Lini një Përgjigje