TAGS-AT E JAVËS

Kosova22 Prill 2024, 17:01

Përballja Kosovë-Serbi në OKB, Vuçiç “viktimizohet” në Këshillin e Sigurimit: Kurti po terrorizon serbët, synojnë ‘Shqipërinë e Madhe’!

Shkruar nga Pamfleti

Përballja Kosovë-Serbi në OKB, Vuçiç

Presidenti serb ka deklaruar se serbëve po iu mohohen të drejtat nga qeveria Kurti, kjo me qëllim, sipas tij, për të arritur një agjendë drejt Shqipërisë së Madhe.

Në Nju Jork është duke u zhvilluar seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar raportit gjashtëmujor për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë dhe Metohi. Kosova përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani, ndërsa Serbia nga presidenti, Aleksandër Vuçiç.

I pari që mori fjalën në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ishte, Vuçiç i cili e nisi me Asocacionin. Ai deklaroi se kanë kaluar 11 vite që nga arritje e kësaj marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe Kosova ende nuk e ka krijuar Asociacionin në Komunat me shumicë serbe në veri. Vuçiç ngriti pretendimet se Serbia i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE.

Më datë 19.4.2024. u bënë saktësisht 11 vjet nga Marrëveshja e Brukselit. Një nga nënshkruesit ishte BE. 11 vjet më vonë, edhe pse serbët i kanë përmbushur të gjitha obligimet e vështira nga ajo marrëveshje, ZSO nuk duket askund”, tha Vuçiç.

Më tej Vuçiç, është ankuar në Këshillin e Sigurimit se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po terrorizon komunitetit serb në Kosovë, dhe se këto veprime të Kurtit po shpërblehen nga bashkësia ndërkombëtare. Presidenti serb ka deklaruar se serbëve po iu mohohen të drejtat nga qeveria Kurti, kjo me qëllim, sipas tij, për të arritur një agjendë drejt Shqipërisë së Madhe.

Komuniteti serb s’është në gjendje t’i pranojë pagat, mëditjet e pensionet... shtypja ndaj serbëve është përforcuar nga sesioni i fundit. 16 sulme të fundit, disa me armë në Graçanicë. Më lejoni t'ju kujtoj se seanca urgjente është mbajtur me kërkesë të Republikës së Serbisë, që institucionet e përkohshme të të ashtuquajturës, Kosovë e udhëhequr nga Albina Kurti shkaktoi tensione. Serbia i paraqiti Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjithçka që ndodhi, dhunë ligjore, dhunë fizike dhe shënjestrim selektiv të serbëve në Kosovë e Metohi. Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vlerësuan se argumentet tona dhe ankesat e dorëzuara ishin në përputhje me faktet”, tha Vuçiç.

Presidenti serb theksoi më tej se Prishtina krijon kushte të padurueshme për jetën e serbëve në Kosovë dhe Metohi. Sipas tij, heqja e dinarit serb ishte kulmi i një fushate të zgjatur të motivuar etnikisht kundër serbëve,

Të punësuarit (serbë) në institucione po përballen me regjimin e Albin Kurtit, diskriminim i shkallës së lartë. E kjo për arsyet se s’janë shqiptarë e s’janë të përfshirë në një agjendë për Shqipërinë e madhe”, tha ai.

Më tej Vuçiç foli edhe për Banjskën, e cila sipas tij ndodhi si pasojë e persekutimit të përditshëm të serbëve në Kosovë e Metohi dhe se Serbia paralajmëroi publikisht se serbët po vuanin sulme të motivuara etnikisht dhe të planifikuara sistematikisht.

Një tregues tjetër që Albin Kurti ka gënjyer, është kur ka folur për gjoja futjen e periudhave tremujore kur bëhet fjalë për futjen e një valute të re, gjë që nuk ka ndodhur dhe ai shpërblehet vazhdimisht. Dhe kjo tregon se ata kurrë nuk e kanë thënë të vërtetën. Presim që UNMIK-u të japë një raport të qartë dhe të saktë për situatën në terren dhe një raport objektiv”, tha Vuçiç.  

Ai ka kujtuar edhe zgjedhjet e një viti më parë në veri të Kosovës dhe Metohisë, të cilat sipas tij u mbajtën në mënyrë të jashtëligjshme. Duke iu referuar referendumit të djeshëm për zëvendësimin e kryetarit dhe theksoi se Prishtina ka manipuluar me listat e votuesve dhe ka frikësuar serbët që referendumi të mos ketë sukses dhe shtoi se vendimi për bojkotimin e referendumit ishte i justifikuar.

Autoritetet e reja komunale shqiptare u konfirmuan pa asnjë legjitimitet politik dhe më pas erdhën si pushtues të shoqëruar nga forca speciale të armatosura rëndë”, u shpreh ai.

Më tej ai theksoi se Serbia është e përkushtuar për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por sipas tij, problemi është fakti që Prishtina nuk zbaton asnjë nga zotimet e saj./Pamfleti

vuçiç

Lini një Përgjigje