
Policia e Kosovës është sulmuar me një mjet shpërthyes në veri të Mitrovicës mëngjesin e kësaj të diele.
Sipas policisë, incidenti ka ndodhur rreth orës 2:20 në Mitrovicën e Veriut, te Qendra e kontrollit teknik të automjeteve.
Policia ka njoftuar se më datë 02.04.2023 rreth orës 02:20, gjatë natës, në rrugën “Ivo Llola Ribar”, tek Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve, në drejtim të zyrtarëve policor që ndodheshin në detyrë zyrtare (njësia në pikë statike), nga persona deri tani të panjohur është hedhur një mjet i dyshuar shpërthyes.
Siç njofton policia, bazuar në informacionet fillestare dyshohet se mjeti i dyshuar shpërthyes i hedhur në drejtim të zyrtarëve policor është – Shok Bombë.
“Njësitet kompetente policore dhe krim teknika kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedurat e nevojshme të vend shikimit. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si ’Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe hetime intensive për zbardhjen e këtij rasti janë në proces”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës pavarësisht akteve të tilla nga individ apo grupe të caktuara kriminale, ka theksuar se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të ruajtjes së rendit, garantimit të sigurisë së qytetarëve pa dallim, si dhe arrestimin dhe sjelljen sa më parë para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar të përfshirë në raste të tilla.
Ky incident vjen pas disa rasteve të raportuara ditët e fundit për djegie të makinave me targa RKS në veri të vendit.
Të shtunën në mbrëmje, një person u vu në pranga, nën akuzën “pjesëmarrje apo organizim i grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e cilësoi arrestimin si “vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb” dhe paralajmëroi se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të ketë “reagim nga serbët”.
Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se “po shkakton kaos dhe po krijon një krizë të re”.
Djegia e veturave ka filluar vitin e kaluar, kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa KM në targa RKS. Targat KM lëshohen nga autoritetet e Serbisë dhe Kosova i konsideron ilegale.
Lini një Përgjigje