TAGS-AT E JAVËS

Kosova12 Shkurt 2026, 09:09

Nga fondi 1 mld euro te dialogu me Serbinë, çfarë premtoi Kurti për mandatin e ri qeverisës?

Shkruar nga Pamfleti
Nga fondi 1 mld euro te dialogu me Serbinë, çfarë premtoi Kurti
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti paraqiti në Kuvend programin për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke renditur objektivat në mbrojtje, ekonomi, politikë të jashtme dhe çështje sociale.

Ai njoftoi se qeveria do të ndajë 1 miliard euro për mbrojtjen gjatë katër viteve të ardhshme. Fondi do të përdoret për forcimin e aleancave strategjike, shtimin e rekrutimeve në Forcën e Sigurisë dhe rritjen e numrit të oficerëve. Qeveria synon të vërë në funksion fabrikën e municionit, të zhvillojë industrinë vendore të mbrojtjes dhe të prodhojë dronë luftarakë në Kosovë. Sipas tij, këto masa do të rrisin kapacitetet mbrojtëse dhe do të shtojnë vetëqëndrueshmërinë në sektorin e sigurisë.

Në fushën e politikës së jashtme, Kurti deklaroi se qeveria do të vazhdojë dialogun me Serbinë mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Ai e paraqiti procesin si rregullim të marrëdhënieve mes dy shteteve sovrane dhe theksoi se institucionet do të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet në të gjithë territorin e vendit.

Qeveria do të vijojë mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe për tregun e përbashkët rajonal. Kurti tha se bashkëpunimi rajonal do të bazohet në barazi dhe përfaqësim të barabartë, ndërsa institucionet do të bashkëpunojnë me palët që respektojnë këto parime.

Në planin ekonomik, ai deklaroi se gjatë mandatit të ardhshëm Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë do të kalojë 10 mijë euro për herë të parë.

Programi përfshin edhe masa sociale. Qeveria do të vazhdojë politikat për uljen e pabarazisë dhe do të mbështesë lehonat. Projekti “Superpuna për gratë” parashikon subvencionimin e pagës minimale prej 500 eurosh për gjashtë muaj për çdo grua të punësuar. Ekzekutivi do të japë edhe 100 euro shtesë në muaj mbi pensionin bazë për gjyshërit që kujdesen për fëmijët.

Pas konstituimit të Kuvendit të mërkurën, deputetët zhvilluan edhe seancën për formimin e Qeverisë.

Kryeministri Albin Kurti paraqiti kabinetin e tij qeverisës, i cili ka në përbërje 4 ministri më shumë se ai i kaluari.

kurti programi qeveria

Lini një Përgjigje