
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar organizimin e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur gatishmërinë për të mbledhur së shpejti kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Në një postim në platformën “X”, Kallas e cilësoi formimin e qeverisë së re të Kosovës si një zhvillim inkurajues, pas më shumë se një viti bllokim politik në vend.
Sipas saj, krijimi i institucioneve të reja hap një moment të ri për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
“Ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe dialogun Beograd-Prishtinë. Jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka shkruar Kallas.
Zyrtarja e lartë evropiane theksoi se prioritet mbetet përshpejtimi i reformave nga autoritetet kosovare.
Ajo tha gjithashtu se ecja përpara me reformat është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen financiare të BE-së, që kap vlerën e qindra milionë eurove, si dhe për të avancuar në procesin e integrimit evropian.
Deklarata e Kallas vjen në një moment kyç për raportet Kosovë–BE dhe për vijimin e dialogut me Serbinë, i cili mbetet një nga kushtet kryesore në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Lini një Përgjigje