
Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, ndërsa ka thënë se pret lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, i cili po qëndron në paraburgim për 48 orë.
DASH u bëri thirrje autoriteteve serbe të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë si dhe zyrtarët policorë të ndaluar në Serbi një ditë më parë.
“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin", tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
Sipas autoriteteve kosovare, Serbia ndaloi mbi 1.400 kosovarë, teksa po kalonin transit nëpër Serbi. Në mesin e të ndaluarve ishin edhe 10 zyrtarë policorë.
Autoritetet thanë se 9 zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Dejan Jankoviç, Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.
Sipas DASH, marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, “ofron parametra të qarta për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe jashtë Serbisë”.
“Siç ka theksuar Bashkimi Evropian, vonesat si këto të fundit, përbëjnë shkelje të kësaj marrëveshjeje”, tha DASH.
Departamenti i Shtetit tha se të gjitha palët duhet t’u shmangen veprimeve që mund ta rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Lini një Përgjigje