TAGS-AT E JAVËS

Kosova24 Janar 2024, 15:51

Ndahet nga jeta profesor Landsman, filantropi që ndihmoi në themelimin e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës

Shkruar nga Pamfleti

Ndahet nga jeta profesor Landsman, filantropi që ndihmoi në themelimin

Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare profesori Moshe Landsman, një emër që ka lënë gjurmë në Universitetin e Prishtinës. Profesori izraelit është bashkëthemelues i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin “Hasan Prishtina”.

Ndarja nga jeta u njoftua nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës. Sipas saj, profesori Landsman, ishte një model i humanizmit dhe filantropisë.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e Prof. Moshe Landsman. Një figurë që e tejkaloi rolin e profesorit dhe pedagogut, duke u shndërruar kështu në një figurë emblematike i cila ka mbështetur, përkrahur dhe inkurajuar të tjerët.

Para pak ditësh ai ishte në mesin tonë, në ambientet e QKRMT-së, i shoqëruar me qetësinë dhe thellësinë e tij. Ai po ikën duken lënë gjurmë të thella, jo vetëm në fushën e dijes dhe nxënies, por edhe në shtytjen dhe inkurajimin e talenteve të reja drejt sukseseve të dëshmuara profesionale, në nivel shoqëror dhe shtetëror për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Landsman ka lënë gjurmë si profesor e psikolog në Izrael që nga vitet 1970, ndërsa lidhja e tij me Kosovën daton që nga paslufta kur ai për herë të parë ndihmoi të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, i pari i pasluftës në Kosovë, Landsman ka qenë profesor për shumë vite dhe ka lënë gjurmë në diplomimin e shumë gjeneratave të studentëve të psikologjisë.

Ndahet nga jeta profesor Landsman, filantropi që ndihmoi në themelimin

Një vit më parë ai u vlerësua nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë me çmim nderi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e psikologjisë.

Sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, Prof. Moshe ishte një model i gjallë i humanizmit, përunjësisë dhe filantropisë. “Vdekja shpesh duket si e pabesë dhe shpërfaqet në befasi por në thelb është e dëlirë dhe shton dashurinë e atyre që mbesin në jetë. Ne do të vazhdojmë ta njohim kontributin e tij dhe ta kujtojmë atë me dashuri. I shprehim ngushëllime tona të thella familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, thuhet më tej.

moshe landsman profesori izraelit universiteti hasan prishtina

Lini një Përgjigje