Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka folur për hetimet rreth sulmit terrorist në Banjskë, ku përgjegjësinë për të cilin e ka marrë një prej figurave kyçe të “Listës Serbe” që gjendet në listën e zezë të SHBA-së, Milan Radojiçiç.
Vuçiç e ka shfrytëzuar këtë për t’iu kundërpërgjigjur amerikanëve për punën e armatimit, konkretisht sistemit anti-tank Javelin që Uashingtoni pritet t’ia shes Kosovës.
Ai ka thënë se është “duke menduar rreth fillimit të një hetimi për të gjitha ata që po e armatosin Prishtinën”, meqë sipas tij, “po e bëjnë ilegalisht”, shkruan KosSev.
Sipas ish-ministrit të Sllobodan Millosheviçit, armatosja e Ushtrisë së Kosovës po bëhet “në kundërshtim me Rezolutën 1244”.
“Po mendoj se si të nis një hetim për të gjithë ata që armatosin Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të gjithë të tjerët që i armatosin – në kundërshtim me Rezolutën 1244. Kush e shkel Kartën e Kombeve të Bashkuara, si e shkelën dhe si guxuan të shkelin Kartën e OKB-së dhe gjithçka që duhet të bëjnë dhe mendojnë se kurrë nuk do të mbajnë përgjegjësi për të”, ka thënë Vuçiç.
Presidenti serb lajmin se SHBA planifikon t’i shesë Kosovës sistemin anti-tank Javelin e ka marrë ditë më parë nga ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill.
Kosova së shpejti pritet të pajiset me mjete shumë të avancuara ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo do të vije si rrjedhojë pasi që SHBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”.
Por çfarë janë raktetat anti-tank “Javelin” dhe si funksionojnë?
Sistemi i raketave luftarake Javelin është një sistem raketash taktik i lëvizshëm nga njeriu, me rreze të mesme veprimi që i siguron Ushtrisë Amerikane dhe Trupave Detare efekte precize të zjarrit të drejtpërdrejtë për të mposhtur tanket kryesore të betejës dhe automjetet e tjera të blinduara gjithashtu.
Ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë pas lëshimit dhe mund ta ngarkojnë për gjuajtjen e radhës. Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pasi të lëshohet.
Një raketë Javelin kushton rreth 180 mijë dollarë.
Ushtria amerikane ka prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla deri tash. Rreth 20 deri në 25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme – pjesa tjetër është përdorur për testime.
Lini një Përgjigje