Emisari special i BE-së tha se ngjarjet e 24 shtatorit nuk mund ta ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë lidhur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, teksa theksoi nevojën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe...
Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti me pesëshen e diplomatëve të SHBA-BE. Për gati 2 orë ata kanë diskutuar për uljen e tensioneve me Serbinë, teksa më shumë detaje dha i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Mirolav Lajçak.
Ai tha se Kurtit i është vënë në tryezë një plan për rikthimin e dialogut. Sipas Lajçk, nuk ka rrugë tjetër përveç bisedimeve.
“Gjithmonë kemi një plan, pra po edhe sot kemi një plan. E kemi diskutuar me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë me presidentin Vuciç. Nuk mund të hyjë në hollësi në këtë moment. Nuk ka alternativë ndaj dialogut sepse dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapin shtegun e BE-së për të dyja vendet”, është shprehur Lajçak.
Lajçak tha se me Kurtin folën për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe përparimit në implementimin e marrëveshjeve të kaluara.
“Kemi dëgjuar me kujdes qëndrimet e Kurtit dhe brengat e tij për sa i përket situatës së sigurisë në veri të Kosovës dhe dua të them se sulmi ndaj PK-së nga individë të armatosur është përshkallëzim i qartë. I shprehëm ngushëllime kryeministrit Kurti dhe kemi dënuar fuqishëm sulmin e 24 shtatorit. E bëmë të qartë se të gjithë sulmuesit duhet të vijnë para drejtësisë dhe presim bashkëpunimin e plotë të Serbisë dhe angazhim konkret në këtë drejtim. Për ngjarjet e 24 shtatorit e sqaruan qartë që de-eskalimi dhe normalizimi janë më urgjente sesa kurrë. Çfarëdo lloji kushtëzimi apo vonese është e papranueshme dhe presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin obligimet e dialogut”, tha Lajçak.
Më tej, emisari special i BE-së tha se ngjarjet e 24 shtatorit nuk mund ta ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë lidhur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, teksa theksoi nevojën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
“Kurti ka përgjegjësinë për të avancuar marrëdhëniet e tilla dhe nëse Kosova do të bëjë progres drejt BE-së dhe duam të theksojmë nevojën për të lëvizur në kuptimin e themelimit të ASK-së pa vonesë. Pa këtë s’mund të ketë progres në shtegun evropian të Kosovës. E çmojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona dhe tash do të vazhdojmë me misionin tonë në Beograd”, tha ai.
Lini një Përgjigje