TAGS-AT E JAVËS

Kosova21 Tetor 2023, 08:10

A do të ketë takim Kurti-Vuçiç? 5 diplomatë perëndimorë zbarkojnë sot në Kosovë dhe Serbi me mesazhe të prera

Shkruar nga Pamfleti

A do të ketë takim Kurti-Vuçiç? 5 diplomatë

Me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve...

Shtetet Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë vendosur të marrin në dorë situatën e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Pas sulmit në Banjskë situata ka agravuar dhe ndërkombëtarët janë vënë në lëvizje për të rikthyer Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiçin në tryezën e bisedimeve.

Sot në Kosovë kanë mbërritur Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, shefi i Qeverisë në Kosovë, Albin Kurti, do t’i presë diplomatët në orën 10:00. Ndërkohë më pas ata do të udhëtojnë drejt Serbisë dhe në orën 14.00 do takojnë presidentin Vuçiç.

Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel. Po ashtu plani final është që Kurti e Vuçiç të binden që të rikthehen në tryezën e bisedimeve.

Pritjet e diplomatëve janë që ndaj Kosovës kërkesa kryesore do të jetë që të gjejë një rrugë për “organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri” dhe zotimin për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga Serbia do të kërkojnë para se gjithash që të distancohet nga secili veprim që mund të destabilizojë veriun e Kosovës dhe që po ashtu të zbatojë marrëveshjet të cilat janë arritur më herët në dialog.

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, tha se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë, pa pasur siguri në Kosovë.

Çka do të kërkojnë dhe çfarë do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit, për popullin dhe shoqërinë”, tha Kurti. /Pamfleti

Lini një Përgjigje