Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë dalë me një mesazh të fortë për Ballkanin Perëndimor. Kosova me Serbinë kanë rritur tensionet, ndërkohë që shumë shtete të tjera kanë përplasje politike, përfshirë Malin e Zi dhe Serbinë, duke mos lënë jashtë Shqipërinë.
Sot u mbajt në Uashington një samit mes SHBA e BE, ku ishin të pranishëm presidenti amerikan, Joe Biden, bashkë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ndërsa BE-ja është përfaqësuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështesim perspektivën evropiane të rajonit. Të gjithë partnerët duhet t'i vazhdojnë reformat e kërkuara, për të përparuar në rrugëtimin e tyre evropian”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Pastaj, në mënyrë të veçantë përmendet normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, vijon deklarata.
Si BE ashtu dhe SHBA kanë dërguar një tjetër mesazh se Ballkani është pjesë e axhendës së tyre. Ndërkohë që mesazhi për Kosovën vjen një ditë para vizitës që 5 zyrtarë të lartë të SHBA e BE do të bëjnë në Kosovë e Serbi për tu dhënë fund tensioneve.

Lini një Përgjigje