TAGS-AT E JAVËS

Kosova19 Korrik 2023, 21:59

“Marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë”, Bislimi zbardh detaje nga takimi me Lajçakun në Bruksel

Shkruar nga Pamfleti

“Marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë”,

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, qëndroi ditën e sotme në Bruksel ku mori pjesë në raundin e radhës të negociatave të nivelit të kryenegociatorëve, në kuadër të procesit të dialogut.

Bislimi zhvilloi takim bilateral me të dërguarin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçák.

Ai tha se në këtë takim, u diskutuan 4 tema kryesore. Tema e parë ishte ajo e planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike. Bislimi shtoi se nuk ishte i mundur organizimi i një takimi trepalësh ditën e sotme, por Lajçak ka premtuar se një gjë e tillë do të ndodhë në të ardhmen.

Eshtë parë nevoja të punohet më tej në konkretizimin e disa dokumentave të rëndësishme për të siguruar zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike. Tek plani i sekuencimit, ne kemi brenga me draftet e deritanishme që z. Lajçak i ka dërguar palëve tona, për arsye se mendojmë se ai plan fillimisht është selektiv, lë anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes Bazike, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes. Në këtë drejtim ne kemi tentuar që sot bashkë me palën serbe, në një takim trilateral të vendosim të gjitha obligimet që palët ndërmarrin nga Marrëveshja Bazike, në një plan të detajizuar të sekuencimit. Nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim apo ecje tutje. Fatkeqësisht nuk ka patur takim trilateral, por z. Lajçak ka menduar që kjo nuk mund të ndodh në këtë fazë sepse nuk e garanton konkretizimin final të planit të zbatimit. Ne ia kemi listuar dhe dhënë me shkrim BE-së të gjitha kërkesat tona apo obligimet që mendojmë se duhet të bijnë mbi palën serbe dhe duhet të konkretizohen përmes planit të zbatimit. Tani presim për hapat e rradhës”, tha ai.

I pyetur nga gazetarë sa i përket masave ndëshkuese të BE-së, ai tha se: “Dakordimi (i Bratisllavës) ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe i përgjigjet këtyre kërkesave. Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi që kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është habi që ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e z. Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian.”

Në fund, zëvendëskryeministri Bislimi shpjegoi më gjerësisht mbi planin e sekuencimit dhe kërkesat e Kosovës.

Nga propozimet tona të sotme në takimin bilateral me z. Lajçak, kemi treguar për secilën masë apo veprim, se nga cili nen i Marrëveshjes Bazike buron dhe kemi kërkuar interpretim nga BE-ja se a pajtohen që kjo masë buron nga Marrëveshja Bazike apo jo”, përfundoi ai.

bislimi takimi bruksel

Lini një Përgjigje