TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Mars 2023, 13:31

Ministrat e BE-së miratojnë vendimin, Kosova një hap më pranë liberalizimit të vizave

Shkruar nga Pamfleti
Ministrat e BE-së miratojnë vendimin, Kosova një hap më

Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratuan sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel. Ministrat ranë dakord për këtë vendim "në lexim të parë", pa diskutime, pasi për këtë më herët në takim të ambasadorëve ishin pajtuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare.

“Këshilli sot miratoi pozicionin e tij lidhur me lëvizjen e lirë pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Rregullat e reja do t'u mundësojnë bartësve të këtyre pasaportave udhëtimin në Bashkimin Evropian pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve“, ka thënë pas miratimit ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Malmer Stenegard.

Kjo praktikë zbatohet në të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë në zonën Schengen të Bashkimit Evropian pa regjim vizash.

Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024. Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.

“Përjashtimi për detyrimin për viza do të vlejë nga data kur të jetë në fuqi Sistemi Evropian i Informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS) apo prej 1 janarit të vitit 2024, varësisht se cila nga këto data do të jetë më e hershme“, tha Malmer Stenegard.

Burime në BE pohojnë se tashmë nuk shohin ndonjë pengesë në këtë proces, i cili pritet të finalizohet formalisht deri në fund të presidencës suedeze të BE-së, që përfundon më 31 qershor.

liberalizimi i vizave për kosovën be

Lini një Përgjigje