
Komisioni Evropian po përgatit plane për të hequr një pjesë të masave ndaj Kosovës, konkretisht rreth 50 për qind të tyre, çka në aspektin financiar nënkupton lirimin e rreth 200 milionë eurove nga fondet që aktualisht janë të pezulluara. Ky vlerësim i BE-së është bërë i mundur pas transferimit të pushtetit lokal në veri të Kosovës dhe pritet të përfshihet edhe në konkluzionet që ministrat e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë dhe mund të miratojnë të martën në Bruksel, në kuadër të debatit për procesin e zgjerimit, sipas burimeve diplomatike që kanë folur për mediat e Kosovës.
Në draftin e konkluzioneve thuhet se Këshilli i BE-së përsërit qëndrimet e mëparshme dhe përshëndet heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës, megjithëse formulimi nuk jep sqarime të qarta për afatet dhe mënyrën e heqjes së tyre.
Burime diplomatike sqarojnë se edhe pse Këshilli ka dhënë pëlqimin politik, vendimi praktik për heqjen e masave i takon Komisionit Evropian.
Fati i masave ndaj Kosovës varet kryesisht nga Komisioni Evropian, por disa shtete anëtare kundërshtojnë heqjen e menjëhershme të tyre para zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe favorizojnë një qasje graduale, ndonëse shumica e vendeve të BE-së do të preferonin heqjen e plotë dhe të menjëhershme. Përveç kësaj, ekziston mundësia që konkluzionet të mos miratohen për shkak të çështjeve të tjera që përfshihen në dokument.
Në konkluzionet për Kosovën dhe Serbinë, BE-ja do të shprehë keqardhje për mungesën e përparimit në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut. Nga Kosova pritet të nisë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia kërkohet njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës, ndërprerja e kundërshtimit ndaj anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, si dhe marrja e hapave konkretë për sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve për dhunën e vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, mediave dhe qytetarëve.
Lini një Përgjigje