TAGS-AT E JAVËS

Kosova15 Dhjetor 2025, 14:52

Zgjedhjet në Kosovë, a do të zgjidhet kriza politike më 28 dhjetor? Nga akuzat për bonusin 100 euro te vota e Diasporës

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në Kosovë, a do të zgjidhet kriza politike më 28

Fushata zyrtarisht nis më 17 dhjetor, ndërsa KQZ ka marrë masat për votën e Diasporës. Kjo e fundit konsiderohet si një hambar votash për VV-në e Kurtit, bazuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve të shkuara parlamentare…

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 konsiderohen si një një moment i rëndësishëm jo vetëm për jetën politike, por edhe demokratike të Kosovës.

Fushata zyrtarisht nis më 17 dhjetor dhe bazuar në një vendim të mëparshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ajo do të zgjasë vetëm 12 ditë.

Në prag të zgjedhjeve, asnjë nga palët politike nuk pranon të deklarojë hapur nëse do të jenë të gatshme të hyjnë në koalicione paszgjedhore, për të shmangur një tjetër krizë politike

Zgjedhjet e parakohshme u shpallën si rezultat i zhvillimit të politikës dhe institucionale që çuan në pamundësinë e vazhdimit normal të mandatit të Kuvendit, duke e bërë të kthehet në vendimmarrjen e saj.

Procesi zgjedhor i 28 dhjetorit konsiderohet si një test për demokracinë, pasi zgjedhjet e parakohshme shpesh reflektojnë tensione politike, por reflektojnë mundësitë për rifreskimin e skenës dhe për politikën e politikave demokratike.

Albin Kurti, si kryeministri në detyrë i Kosovës, do të tentojë të marrë një mandat qeverisës, jo thjesht për të fituar zgjedhjet, pa pasur mundësinë për të qeverisur.

Në anën tjetër janë PDK dhe LDK dy nga partitë kryesore opozitare, që referuar situatës në Kosovë, nuk përjashtohet që të bashkëqeverisin, nëse do të arrijnë të marrin numrat e nevojshme të mandateve në Kuvendin e Kosovës.

Arma më e fortë e Kurtit në këto zgjedhje janë disa qëndrime të forta që ai ka mbajtur, veçanërisht në raport me Beogradin, edhe pse është përballur me sanksione apo ‘kërcënime’ nga ndërkombëtarët. Kjo mund t’i japë Kurtit dhe VV-së që drejtuar prej tij, një suport më të madh elektoral, veçanërisht sa i takon votave të diasporës. Kjo e fundit mund të jetë hambari i votave për VV-në, e cila edhe në zgjedhjet e shkuara parlamentare doli fituese kundrejt dy partive PDK dhe LDK-së.

Si do të votojë Diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se për të lehtësuar procesin e votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete të ndryshme.

Sipas KQZ-së, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Më 14 dhjetor, KQZ ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

"Fletëvotimet, të cilat janë shtypur në Slloveni, kanë arritur në Kosovë të premten më 12 dhjetor dhe pas kësaj shërbimi votues i KQZ-së ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar.

Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, njofton KQZ.

Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta.

KQZ inkurajon votuesit e regjistruar që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit.

Akuzat për Kurtin

Pavarësisht se zyrtarisht nuk ka nisur fushata për zgjedhjet e parakohshme, nuk mungojnë akuzat publike në drejtim të Albin Kurtit, Kryeministrit në detyrë të Kosovës.

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së Ermal Sadiku ka folur rreth shpërndarjes së bonusit prej 100 eurove nga Qeveria e Kosovës, para zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Në denoncimin e tij Sadiku shprehet se praktika të tilla përbëjnë "krim" dhe "blerje të pushtetit" me paratë e qytetarëve. Sadiku kritikoi ashpër vendimet për shpërndarjen e fondeve dhe rritjen e pagave pak para periudhës zgjedhore. "Nuk është politikë e majtë duke shpërndarë 100 euro pak para zgjedhjeve. Nuk është politikë e majtë duke i rritur rrogat para zgjedhjeve", deklaroi ai. Sipas tij, përdorimi i parave të shtetit për të siguruar vota nuk është as politikë e majtë, as e djathtë, por një krim i pastër.

Ndërkohë nga rradhët e PDK ka reaguar Abelard Tahiri. Ai shprehet se PDK ndodhet në një trend të qartë rritjeje dhe synon fitoren e zgjedhjeve.

“Besoj fuqishëm se PDK do të rritet dhe jemi në garë për të fituar zgjedhjet. Bedri Hamza është duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Programi dhe angazhimi i tij politik janë shpresë për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Ai shtoi se PDK sot gjendet në pozitën më të mirë politike për ta sfiduar keqqeverisjen e këtyre viteve dhe për të ofruar një alternativë serioze, e cila në radhë të parë ka përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje