TAGS-AT E JAVËS

Kosova14 Dhjetor 2025, 13:32

7 vite Ushtria e Kosovës, Haradinaj: Vendim historik që vulosi sovranitetin e shtetit

Shkruar nga Pamfleti

7 vite Ushtria e Kosovës, Haradinaj: Vendim historik që vulosi

Sot shënohen 7 vite nga dita kur Parlamenti i Kosovës miratoi ligjet që ndryshuan mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke i dhënë asaj funksionin e një ushtrie të rregullt të shtetit. Vendimi historik u mor më 14 dhjetor 2018, me 106 vota pro dhe vetëm një abstenim, ndërsa deputetët serbë e bojkotuan seancën, duke e kundërshtuar në mënyrë të hapur formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Emri i FSK-së nuk u ndryshua, por përmbajtja dhe kompetencat e saj u transformuan thelbësisht në përputhje me standardet e ushtrive moderne. Ligjet u amenduan dhe votuan një nga një, në një atmosferë të ngarkuar politike, por me përkrahje të gjerë ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, Ramush Haradinaj, i cili në atë kohë drejtonte qeverinë, ka përkujtuar përvjetorin duke e cilësuar formimin e Ushtrisë si një nga vendimet më të rëndësishme shtetformuese të pasluftës. “Erdhëm në paqe, në rresht me ushtritë e paqes. Shtatë vite guxim, shtatë vite krenari, shtatë vite Ushtria e Kosovës krah nesh”, shkroi ai.

Haradinaj nënvizoi se Ushtria e Kosovës lindi nga sakrifica e luftës çlirimtare, nga gjaku i dëshmorëve dhe nga amaneti i atyre që lanë pas lirinë dhe detyrimin për ta mbrojtur atë. Ai theksoi se vendimi i vitit 2018 ishte marrë me bekimin e SHBA-së, si një hap i pashmangshëm për forcimin e sigurisë dhe sovranitetit të vendit.

Sot kemi ushtri. Sot kemi shtet më të sigurt. Sot kemi Kosovë më të fortë”, u shpreh Haradinaj, duke e konsideruar këtë transformim si një përmbushje të përgjegjësive kombëtare dhe si një garanci për të ardhmen e vendit.

Ushtria e Kosovës, edhe pse ende në fazë zhvillimi, është trajnuar dhe pajisur në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa ka fituar respekt dhe besim për disiplinën dhe rolin e saj në garantimin e stabilitetit në rajon.

Lini një Përgjigje