Policia e Kosovës ka sekuestruar 4.6 kilogramë kokainë dhe ka arrestuar katër persona, mes tyre dy shtetas shqiptarë dhe dy shtetas nga Kosova, gjatë një aksioni kundër trafikut të narkotikëve të zhvilluar në Ferizaj.
Gjatë operacionit janë sekuestruar katër paketime me substancë narkotike të llojit kokainë, një pistoletë Glock me 14 fishekë, si dhe dëshmi të tjera të rëndësishme materiale.
Në vazhdën e hetimeve janë kryer tri bastisje në shtëpi të të dyshuarve në Prishtinë, ku në njërën prej tyre janë gjetur qese najloni dhe dorëza, të përdorura për paketimin e narkotikëve.
Sipas burimeve, vlera e narkotikëve të konfiskuar në tregun e zi vlerësohet rreth 140 mijë euro.
Në këtë aksion janë arrestuar:
Ardian Lika, rreth 52-vjeçar,
Miri Bodlli, rreth 54-vjeçar,
Adem Braholli, rreth 28-vjeçar,
Shpëtim Braholli, rreth 32-vjeçar.
"Hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN)-Ferizaj, në koordinim me prokurorinë, pas një hetimi disa mujor, të premten më datë 12.12.2025, kanë zbatuar një plan taktik të emërtuar ‘Kulla’ me qëllim arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në trafikim me lëndë narkotike.
Policia ka arrestuar katër të dyshuar: A.L., (mashkull shtetas i Shqipërisë, viti i lindjes 1973), M.B., (mashkull shtetas i Shqipërisë, viti i lindjes 1971), A.B., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1997) dhe A.B., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1993). Po ashtu dy të dyshuar nuk janë gjetur dot dhe ndodhen në arrati.
Gjatë realizimit të operacionit u gjetën dhe sekuestruan:
Substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë me peshë totale 4620.4 gr., e mbështjellë në katër paketime, me vlerë tregu rreth 140 mijë euro,
* një pistoletë me 14 fishekë,
* dy telefona celular,
* para (euro, lekë dhe dollar kanadez),
* dy vetura dhe një motor katër-rrotësh.
Të dyshuarit, pas intervistimit me aktvendim nga prokuroria janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, njofton policia e Kosovës.
Lini një Përgjigje