TAGS-AT E JAVËS

Kosova11 Dhjetor 2025, 18:10

Franca kundër heqjes së masave ndaj Kosovës, Parisi i vë ‘kushte’ Bllokut: Fillimisht t’i hapen kapitujt e anëtarësimit Serbisë!

Shkruar nga Pamfleti

Franca kundër heqjes së masave ndaj Kosovës, Parisi i vë

Pavarësisht se në Kosovë pati një kalim paqësor të pushtetit në katër komunat veriore me shumicë serbe më 5 dhjetor, vendet anëtare të Bashkimit Evropian duket se nuk janë në të njëjtën linjë për heqjen e masave ndëshkuese.

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ato u përshkruan si të përkohshme, ndërsa kushtet për heqjen e tyre qenë të qarta.

Ndërkohë zyrtarët në Kosovë ngulmojnë se kërkesat e BE-së për largimin e masave që e dëmtuan vendin në vlera milionëshe janë plotësuar: situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar, serbët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e mbajtura sivjet, dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.

Por burime brenda BE-së, bëjnë me dije se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kanë vullnet për heqjen e sanksioneve. Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), në Pragë, thotë se është e vërtetë që për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel këtë javë, dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.

Sipas tij, Parisi insiston në këtë qëndrim duke qenë se kërkon që Beogradi t’i hapë kapitujt për anëtarësim në BE, dhe është i zemëruar pse të tjerët po e bllokojnë procesin.

Një zëdhënëse e Bashkimit tha se blloku evropian synon vazhdimin e heqjes së masave, proces që ka nisur pjesërisht në maj të këtij viti. Sipas saj, Brukseli është i gatshëm të punojë me autoritetet e Kosovës, sapo të zgjidhen ato, dhe blloku pret nga Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të nevojshme që lidhen me BE-në. Por, për Qeverinë në detyrë të Kosovës, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk kanë asnjë lidhje me masat.

Lini një Përgjigje