TAGS-AT E JAVËS

Kosova14 Dhjetor 2025, 13:20

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ nis shpërndarjen e fletëve të votimit për diasporën

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ nis shpërndarjen e fletëve të

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e shpërndarjes së fletëve zgjedhore për qytetarët e Kosovës që ndodhen jashtë vendit dhe që kanë zgjedhur të votojnë përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 58 mijë votues të regjistruar për votim me postë do të marrin në adresat e tyre fletëvotimet e prodhuara në Slloveni, të cilat mbërritën në Kosovë më 12 dhjetor. KQZ ka përfunduar tashmë përgatitjen e pakove individuale dhe shpërndarja e tyre përmes shërbimeve postare ndërkombëtare ka filluar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se çdo pako është pajisur me një numër gjurmimi, i cili i është dërguar votuesve të regjistruar. “Kështu, secili votues do të mund të ndjekë vendndodhjen e pakos me fletëvotim në kohë reale”, deklaroi Elezi.

Ndërkohë, një tjetër kategori prej 19,257 votuesish, që janë regjistruar për votim fizik jashtë Kosovës, do të votojnë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike ku janë të regjistruar.

Afati për të dërguar votën përmes postës përfundon po më 27 dhjetor. KQZ i ka bërë thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për të dërguar fletëvotimin, në mënyrë që të sigurohet mbërritja e tij brenda afatit ligjor. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e kutisë postare të KQZ-së përkatëse në vendin ku ndodhet votuesi, ose në një pikë postare të afërt.

Ky proces është një ndër elementët kyç të organizimit të votimeve nga diaspora, që luan një rol të rëndësishëm në zgjedhjet parlamentare të Kosovës. KQZ ka garantuar se të gjitha masat teknike dhe ligjore janë marrë për të siguruar transparencën dhe integritetin e këtij procesi.

Lini një Përgjigje