
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me Papa Leon XIV, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Vatikan, ku i ka kërkuar zyrtarisht njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.
Takimi u zhvillua në Pallatin Apostolik, ku Osmani u prit nga Ati i Shenjtë, ndërsa gjatë vizitës ajo u takua gjithashtu me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, si dhe me Sekretarin për Marrëdhënie me Shtetet, Monsignor Paul Richard Gallagher.
Pas takimeve, presidentja Osmani e cilësoi këtë vizitë si një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit.
Ajo deklaroi se i ka përcjellë Papës shpresën dhe besimin e qytetarëve të Kosovës për një vendim të shumëpritur, njohjen e shtetësisë së Kosovës.
“Paraqita shpresën dhe besimin e gjithë popullit të Kosovës që Selia e Shenjtë të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës, duke njohur vuajtjet e gjata të popullit tonë për liri, pavarësi dhe demokraci”, tha Osmani.
Sipas saj, një njohje e tillë nga Vatikani do të kishte ndikim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në Evropë.
Lini një Përgjigje