TAGS-AT E JAVËS

Kosova13 Mars 2026, 21:47

Kurti kërkoi sërish dialog për zgjedhjen e presidentit, opozita refuzon: Nuk ka takime pa folur Kushtetuesja

Shkruar nga Pamfleti
Kurti kërkoi sërish dialog për zgjedhjen e presidentit, opozita
Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u dërgoi sot ftesa të reja përfaqësuesve të partive opozitare, për të diskutuar rreth çështjes së presidentit, në mënyrë për të shmangur zgjedhjet e reja.

Kërkesa e Kurtit është refuzuar, PDK-ja dhe LDK-ja kanë theksuar se nuk mund të ketë takime pa dhënë verdiktin Gjykata Kushtetuese

Ndonëse rasti për zgjedhjen e presidentit është në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Albin Kurti i ka ftuar partitë opozitare për takim në fillim të javës së ardhshme.

Nëse do të vazhdojë procedura për zgjedhjen e kreut të shtetit nga legjislatura aktuale, do të vendosë Gjykata Kushtetuese, e cila ka caktuar masë të përkohshme deri më 31 mars për dekretin që shpërndau Kuvendin. Por, pavarësisht kësaj, Kurti theksoi se përpjekjet për të gjetur një zgjidhje i ka nisur që nga e mërkura, me ftesat ndaj partive opozitare.

Përfaqësuesit e partive në opozitë nuk kanë shprehur gatishmëri të flasin për presidentin, përpara se Kushtetuesja të vendosë në çështjen që i është adresuar javën e shkuar.

Në një komunikatë të lëshuar nga Partia Demokratike është shprehur gatishmëri për takime, por jo në kohën kur ka kërkuar Kurti.

“Në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Në këtë frymë është edhe përgjigjja e kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.

“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj”, ka thënë Abdixhiku.

kurti opozita

Lini një Përgjigje