
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se nuk do të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Gjatë mbledhjes së Qeverisë në Prishtinë, Kurti tha se Kosova është duke u përballur javët e fundit me “një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me anëtarësimin” në Këshillin e Evropës.
“Në këto javët e fundit u përballëm me kusht të ri që nuk ka të bëjë me standardet e anëtarësimit në KiE. Ne dëgjuam që ka kryeqytete që po kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumente në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës", tha Kurti.
Kurti u shpreh se kanë kërkuar që draft statuti të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit dhe të nënshkruhet për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm, por që u refuzuar nga Serbia.
"Ky dokument i sjellë nga Lajçak dhe emisarët e QUINT-it nuk u pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që të bëhej pjesë e marrëveshjes bazike dhe të nënshkruhej që të bëhej ligjërisht i zbatueshëm, por u refuzua nga Serbia. Nëse më 26 tetor 2023 do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë ai mund të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Draft statuti i Lajçakut dhe të dërguarve të QUINTI-t dështoi të realizohej se u refuzua. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente që nuk janë pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë e mbetet absurde”, vijoi Kurti.
Kosova aplikoi në vitin 2022 për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës dhe, muajin e kaluar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi që Kosova të pranohet në këtë organizatë. KiE - lidere në Evropë për të drejtat e njeriut mund të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.
Lini një Përgjigje