Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbështetur vendimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas dështimit të forcave politike për të arritur konsensus për zgjedhjen e presidentit.
Përmes një statusi në Facebook, Abdixhiku deklaroi se vendimi i presidentes ishte i pritshëm dhe e vlerësoi atë si një hap në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve të vendit.
“Mbështes dhe mirëpres, siç edhe pritej, dekretin dhe qëndrimin e Presidentes së Republikës Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit. LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës. Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK është e gatshme të marrë pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe për t’iu drejtuar qytetarëve për një zgjidhje të re demokratike.
“Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike. Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje